Urrejtja si amanet

Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë

(EL-KEUTHER, 3)

Maqedonia si asnjëherë më parë, gjendet në një krizë të thellë politike. Maqedonisë i është aktivizuar vullkani që kanoset me llavë përcëlluese të problemeve brenda etnike dhe ndëretnike. Maqedonisë i duhet një ndërhyrje e fuqishme dhe kushtëzuese, duke përfshirë këtu  edhe elemente të një protektorati “të lehtë”!

Partitë politike me relevancë, fatkeqësisht, për këto vite më tepër kanë arritur të ngacmojnë urrejtjen se sa ta ndërtojnë dhe ruajnë paqen dhe mirëqenien. Kanë arritur që elektoratin partiak ta tjerrin deri në aktivistë militant, të cilët krijojnë një “ushtri partiake” në pozicione të ruajtjes së interesave partiake, etnike dhe fetare! Askujt nuk i intereson shteti! Shteti nuk mbrohet duke ngacmuar urrejtjen dhe duke e përcjellë atë si amanet nga brezi në brez! Ky është problemi real i Maqedonisë.

Fatkeqësisht, në Maqedoni imponohet përshtypja se këtu kemi të bëjmë vetëm me një problem: njëra palë synon pushtetin pa të drejtë, ndërsa pala tjetër synon me të drejtë ruajtjen e pushtetit.  Madje, tërë lufta politike zhvillohet në këtë drejtim. Po flitet se liderët tanë politik nuk po munden të merren vesh rreth numrit të ministrive, rreth kryeministrit se kur do të dorëhiqet dhe rreth përgatitjes së kushteve për zgjedhje të drejta dhe demokratike! Dorën në zemër, edhe ky mund të jetë problem më vete, por, pa dyshim që është tepër shumë periferik në raport me problemet esenciale që Maqedonia  ka! Kësaj radhe, faktorët ndërkombëtarë nuk guxojnë që leckat e shtetit t’i mbulojnë duke ia hedhur sipër supeve një pelerinë tyli! Maqedonia si shtet ka nevojë për një rrobaqepës mjeshtër i cili di si të qepë një palë rrobe të përjetshme, të përshtatshme për të gjitha stinët, për të gjitha ndërrimet e pushteteve. Maqedonisë i duhen disa standard, që tashmë janë të çelikosura nëpër shumë shtete perëndimore multietnike, multikonfesionale, multikulturore, multilinguale. Maqedonia e sotshme nuk mund të funksionojë, nëse sot po, nesër jo! Jo se kjo varet nga gjeneratat e sotshme, nga ne që na ka rastisë të jemi faktorë të shkaktimit apo të zgjidhjes së problemeve. Gjeneratat e ardhshme nuk do ta tolerojnë diskriminimin, i çfarëdollojshëm qoftë ai.

Është për t’u habitur se si faktori politik i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar, lejuan që Maqedonia të përceptohet si shtet problematik dhe që do zgjidhje politike vetëm për shkak të “bombave” si rezultat i përgjimeve. Natyrisht, kjo veprimtari jo që paraqet vepër antinjerëzore,  por duhet të jetë aq shumë e dënueshme, saqë njeriut mos t’i shkojë më kurrë mendja të bëjë një veprim të tillë. Por, është tepër nënçmuse dhe jo njerëzore që të eliminohen të gjitha problemet reale që Maqedonia  ka dhe t’i hidhet më qafë vetëm ky problem! Po flitet se, kësaj radhe do të hapen edhe temat ndëretnike. Dhe, do të ishte kryevepër sikur të hapeshin dhe përfundimisht të zgjidheshin ato. Por, nuk guxojnë palët në bisedime që këto probleme ndëretnike t’i zgjidhin shkarazi, pa transparencë, pa debate të mirëfillta dhe shkencore, nuk duhet pranuar zgjidhje e pjesshme. Sepse, Maqedonia sërish do të futej në një rreth vicioz të problemeve kryesore.

Nga institucionet shtetërore duhet që patjetër të eliminohet urrejtja ndëretnike, në fakt, urrejtja antishqiptare (sepse shqiptarët nëpër institucione janë figurantë, nuk kanë as forcën e as mundësinë reale për ta ushtruar institucionalisht urrejtjen ndëretnike)! Maqedonia duhet ta ketë shumë të qartë se populli shqiptar në këtë shtet është fakt i kryer, është realitet që nuk mund të ndryshojë me vendime politike e me qëndrime partiake. Maqedonisë duhet t’i bëhet e qartë se, ky shtet i përket të gjithëve dhe asnjëri nuk ka ekskluzivitet politik, pushtetar e shtetëror.

Maqedonia ka shkarë nga e vërteta e saj, prandaj këtij shteti i duhet një balancim i të gjitha vlerave morale e shoqërore, etnike e kulturore. Duke e përceptuar Maqedoninë nga prizmi megaloman si ekskluzivitet i maqedonasëve, si rezultat e kemi Shkupin 2014 i cili në masë të konsiderueshme ka provokuar revoltën (në daçi edhe urrejtjen) shqiptare. Debalancimi i realitetit etnik nuk mund të prodhojë stabilitet politik. Debalancimi gjuhësor dhe tentativat për ta margjinalizuar gjuhën shqipe, prodhon “strategji masonerike” për ta ruajtur këtë debalancim qoftë edhe me politika refuzuese, dëbuese e deri te ato asimiluese. Natyrisht, kjo trysni do të shkaktonte shpërthimin e një revolte të pakontrollueshme, e cila do t’i linte në margjina të gjitha “bombat” që sot për sot po paraqiten si “shpërthime” të fuqishme që po rrezikojnë pushtetin! Asgjë nuk është pushteti në krahasim me shtetin dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë politikbërësit e vendit.

Si prijës i të gjithë myslimanëve të vendit, përfshirë këtu edhe i liderëve politik shqiptar, natyrisht, të atyre që ndjehen myslimanë, si kujdestar i jetës fetare islame në vend, më duhet të jem i sinqertë dhe të shpalos edhe një problem tjetër, të cilin unë e përceptoj si problem më nevralgjik! Raportet ndërkonfesionale nuk i kemi të mira! Pa arritur balancimin e realitetit fetar, Maqedonia kurrë nuk mund të jetë shtet stabël. Shqiptarët myslimanë mbase edhe mund të tregohen të durueshëm në një presion etnik, apo në një diskriminim etnik. Por, dyshoj se janë të gatshëm ta gëlltisin me aq lehtësi edhe diskriminimin fetar. BFI, si Institucion fetar, vazhdimisht është nën presion të pjesëtarëve të vetë që të jetë më e zëshme dhe më efikase në zgjidhjen dhe në tejkalimin e problemeve ndërfetare.

Në Maqedoni, së pari, duhet të marrë fund përpjekja nonshalante për ta paraqitur Maqedoninë si shtet ortodoks, sepse as nuk është dhe as nuk mund të jetë. Maqedonia është e bekuar me orrtodoksizmin, me katolicizmin dhe me islamizmin dhe, kush e deformon këtë bekim pa dyshim që do ta ngacmojë mllefin e Krijuesit Fuqiplotë.

Në Maqedoni nuk mund të funksionojë vetëm KOM dhe të cyten tendencat për ta devalvuar dhe për ta nëpërkëmbur BFI-në. Shteti nuk mund t’ia hapë arkën dhe pasurinë e vendit vetëm KOM-it ndërsa pronën e BFI-së edhe më tej ta konsiderojë si “interes shtetëror”!  Në këtë shtet, përfundimisht duhet të ndërpriten të gjitha skenaret e destabilizimit permanent të BFI-së, përmes elementeve që zhvillojnë aktivitet të dyfishtë apo të trefishtë. Kësaj radhe, faktori ndërkombëtar duhet t’ia bëjë me dije pushtetit që ta mbajnë vath në vesh një amanet: “Të ndërpriten të gjitha lojërat e destabilizimit dhe përpjekjet e shkatërrimit të BFI-së si i vetmi Institucion fetar islam në vend”! Një BFI e fortë, stabël dhe autoritare është themeli më i fuqishëm i mirëqenies dhe bashkëjetesës.  Sa herë që KOM-i “detronizohet” nga ndonjë dukuri apo individ, këtu menjëherë ndërhyn shteti duke ndërmarrë urgjentisht masa ligjore, qoftë edhe duke i burgosur “surrogatët”! Ndërsa, në raport me BFI-në “surrogatët” e saj përkëdhelen nga institucionet shtetërore, duke i ushqyer me shpresa të rrejshme. Uniteti i myslimanëvë të vendit, trungu fetar islam është amanet i shenjtë dhe, duhet ta kenë të qartë të gjithë që, nuk është në fuqinë e asnjë politikani e as pushteti  për ta përçarë atë trung. Ky unitet, ky realitet, kjo forcë e pathyeshme është vullnet i Zotit Fuqiplotë. Kush është matur me këtë Fuqi, ka përfunduar si mos më keq!

Lajme të ngjashme

Back to top button