Të kërkosh ndjesë, virtyt i njerëzve të civilizuar

Të kërkosh ndjesë apo të shfajësohesh për diçka, shpeshherë perceptohet nga njerëzit si karakter i dobët. Por, në fakt, falja kërkohet nga individë, që kanë një karakter të fortë.

Një falje e sinqertë, mes atij që e kërkon dhe atij që e pranon, përbën një ndër komunikimet më të vërteta të njerëzve të civilizuar. Falja ka fuqinë për të ndrequr marrëdhënie të shkatërruara, mes dy personave apo një grupi të madh njerëzish. Nëse bëhet ashtu siç duhet, një shfajësim mund të shërojë një turpërim dhe të prodhojë një falje.

Edhe pse nuk ka receta për shfajësimin ideal, gjëja më e rëndësishme, që duhet të mbahet parasysh, është që falja të mos bëhet në mënyrë mekanike dhe të mos ndiqen rregulla rigoroze. Ajo thjesht duhet të ketë brenda ndjeshmëri, ndërsa personi që shfajësohet të ketë forcën për të pranuar fajin, dështimin dhe dobësinë e tij.

Por, natyra e njeriut është aq e dhënë për të korrur fitore, sa nuk u kushton rëndësinë e duhur gabimeve të përditshmërisë.

Cilat janë rastet dhe arsyet përse ne kërkojmë falje?

Kjo ndodh kur kemi injoruar dikë, e kemi nënvlerësuar, tradhtuar, apo e kemi ofenduar publikisht, duke e fyer rëndë. Në shumë raste, kjo bëhet për të nxjerrë veten në qendër të vëmendjes, fatkeqësisht duke lënduar tjetrin.

Cilat janë këshillat që jepen, për të bërë që një falje të ketë sukses?

Së pari, riparoni marrëdhënien. Edhe në rastet, kur keni lënduar dikë që doni apo thjesht dikë, me të cilin ndani zyrën, një falje mund të zbusë sadopak situatën.

Së dyti, bëni një shfajësim të vërtetë. Jepini fund dhimbjes së tjetrit, atë që ia keni shkaktuar vetë ju.

Së treti, mos e kërkoni falje vetëm për të hequr nga vetja peshën e fajit.

Ajo çka e bën një falje, që të funksionojë më së miri, është shkëmbimi i turpit mes të dëmtuarit dhe atij që dëmton. Duke kërkuar falje, ju merrni përsipër gabimin dhe pranoni se jeni përgjegjësi, duke e lehtësuar tej mase peshën e dhimbjes së tjetrit.

Shkëmbimi i ndjesive është “çelësi” i procesit të “shërimit të plagës”.

Lajme të ngjashme

Back to top button