Të pakënaqur në Maqedoni, kërkojnë zgjidhje në Shqipëri

Të pakënaqur me trajtimin që ju bëhet nga shteti, shqiptarët e Maqedonisë shfaqin interes për tu pajisur me nënshtetësi shqiptare. Edhe pse nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup ende nuk japin shifra se për sa aplikime bëhet fjalë që nga muaji gusht, jo-zyrtarisht mësojmë se janë me qindra. 

Portalb realizoi anketë me disa qytetarë nga Shkupi, të cilët na thanë se aplikojnë për shkak të çështjes kombëtare por edhe për një të ardhme më të mirë në shtetin ku flitet gjuha shqipe.

“Shqipëria është në NATO, së shpejti edhe në Bashkimin Evropian. E pse mos aplikoj?” tha H.M nga fshati Bojanë.

“Në Maqedoni na rrahin fëmijët vetëm e vetëm se jemi shqiptar, nuk na punësojnë vetëm e vetëm se jemi shqiptar, na diskriminojnë e na shajnë. E në Shqipëri gjithë janë shqiptarë, të paktën problemin e nacionalitetit nuk do e kemi atje” tha A.Z nga Shkupi.

Madje, disa prej tyre dëshirojnë dhe të heqin dorë nga shtetësia e Maqedonisë.

“Jam shumë i gëzuar se më në fund po realizohet ëndrra e kamotshme e shqiptarëve, qe të gjithë do të mund të bëhemi shtetas shqiptarë. Sapo ta marr nënshtetësinë shqiptare do mendoj seriozisht për të lënë nënshtetësinë maqedonase sepse nuk me vyen fare dha asnjëherë nuk ja kam pa hajrin”, tha F.T. 

Duke analizuar dukurinë e tillë, psikologu Musa Musai, thotë se kërkesat e shqiptarëve për nënshtetësi në shtetin amë duket si një identifikim real i asaj se si ndjehen njerëzit (shqiptarët) në këtë shtet.
 
“Faktorët tjerë social dhe historik përkapin një segment te rëndësishëm të kësaj kërkese. Këtu kam për qellim të them mungesën e të qenit me një identitet përkatës, e qe neve si i tille na ka munguar, pa marrë parasysh se ne jemi në trevat tona etnike dhe njerëz autokton në këto vise. Megjithatë frymimi shqip dhe dashuria ndaj identitetit kombëtarë i bënë që njerëzit të shtrojnë një kërkesë të këtillë”, tha profesori universitar, Musai.

Ai shton se shqetësues është fakti që ju keni përmendur se pasi të kenë marrë nënshtetësinë shqiptare do heqin dore nga të qenit nënshtetas të Maqedonisë.

“Unë gjykoj se kjo nuk i shkon për shtati aspak çështjes kombëtare dhe mund të trajtohet edhe si një zbarkim ose kushtimisht thënë një shpërngulje dhe braktisje e trevave tona. Nëse kërkesat janë si rezultat i pakënaqësisë me karakter ekonomik, social dhe politik atëherë duhet parë dhe analizuar mirë faktorët psikologjikë të kësaj kërkese, e cila edhe mund të jetë porosi për strukturimet politike shqiptare këtu te ne.” thotë për Portalb, profesori Musai. 

Ahmeti: Shqiptarët do të marrin pasaporta shqiptare
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në emisionin “Rruga drejt” në Alsat-M si arsye për marrjen e nënshtetësisë shqiptare madje si rrugëdalje për shqiptarët e Maqedonisë e përmendi mos-zgjidhjen e çështjes së emrit, që vizavi shpie deri te bllokimet euro-atlantike.

“Nëse nuk zgjidhet çështja e emrit, shqiptarët kanë zgjidhje, ata do të marrin pasaporta shqiptare, ashtu si maqedonasit qe pajisen me pasaporta bullgare” tha i pari i integristëve.

Partia e tij që nga ardhja në pushtet premton se do ti shpie shqiptarët në NATO dhe Bashkimin Evropian, por një objektivë e tillë ende mbetet e parealizuar.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button