Tiranë, policët rrahin fëmijë (Video)

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në kryeqytet. Dy punonjës të Policisë se Rendit të Komisariatit Nr. 2 shfaqen në një video, duke dhunuar disa fëmijë të moshave nga 7 deri në 15 vjeç, të cilët po luanin para oborrit të pallatit. Ngjarja është shënuar rreth orës 21:00 tek pallatet pranë ish-uzinës “Enver” në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë

Fëmijët rrëfejnë për “News 24” dhunën e pajustifikueshme dhe të pamotivuar që dy punonjësit e policies, Hazbi Dedja dhe Bajram Lumshi, kanë ushtruar ndaj tyre, ndërsa shprehen se dy punonjësit e policisë me uniformë vinin erë alkool.

Fëmijët shtojnë se dy policët i rreshtuan para pallatit dhe iu kërkuan kartat e identitetit, pastaj i godisnin me shpulla pas koke, madje disave prej tyre iu përdridhnin edhe krahët.

Prindërit e njërit prej fëmijëve të dëmtuar nga dhuna kanë qëndruar disa orë para Komisariatit Nr. 2, në pritje të një shpjegimi nga policia për dhunën ndaj të birit Denis.S, i cili është dëmtuar më tepër në krahasim me fëmijët e tjerë. Prindërit shprehen për “News 24” se do të bëjnë kallëzim penal ndaj policëve.

Ndërkohë, pas publikimit të videos në” News 24″, Policia e Tiranës ka pezulluar paraprakisht nga puna 2 efektivët e Komisariatit Nr. 2, Hazbi Dedja dhe Bajram Lumshi.

Ministri Tahiri: e papranueshme, kjo deshmon se policia duhet reformuar

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar në lidhje me dhunimin e të miturve nga dy efektivë të komisariatit numër 2 në Tiranë, video që u publikua ekskluzivisht nga televizionin “News 24”.

Ministri Tahiri e ka konsideruar ngjarjen si një standard të papranueshëm për qeverinë në radhë të parë, për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e shtetit si edhe për atë vetë personalisht.

Ministri i Brendshëm në një reagim në rrjetin “Facebook”, shkruan se: “Jam i keqardhur për sa mësova dhe pashë mbi sjelljen e dy punonjësve të Policisë së Shtetit. U kërkoj ndjesë të rinjve dhe familjarëve për shqetësimin e shkaktuar padrejtësisht nga disa efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë kapërcyer limitin e ushtrimit të detyrës duke shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.

Më tej, ministri Tahiri nënvizon faktin se: “Nga njëra anë, ky është një rast që tregon më së miri domosdoshmërinë tonë për të reformuar burimet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke garantuar plotësisht respektimin e të drejtave të njeriut nëpërmjet formimit të vazhdueshëm të kapaciteteve. Jam i bindur se sado i mirë të jetë qëllimi i efektivëve të policisë në përmbushje të detyrës, mënyra e dhunshme shkallmon çdo standard të legjitimitetit dhe ligjshmërisë në realizimin e misionit të policisë.Nga ana tjetër, ky epsiod dëshmon domosdoshmërinë për të rikonceptuar rolin e punonjësit të policisë dhe mënyrën e përmbushjes së detyrës”.(BalkanWeb)

Lajme të ngjashme

Back to top button