Angela Merkel viziton nesër Shqipërinë, policia plan masash për sigurinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel, do të vizitojë nesër Shqipërinë, ku pritet të ketë takime me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Në kuadër të vizitës së saj zyrtare disa orëshe, Policia e Shtetit Shqiptar ka hartuar një plan masash për garantimin e sigurisë dhe rendit gjatë vizitës së Merkel në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Policisë së Tiranës, në kuadrin e masave të marra njofton se në disa segmente rrugore do ketë bllokim të qarkullimit të mjeteve dhe kufizime të qarkullimit.

Kështu në segmentin rrugor sheshi “Skëndërbej”-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- sheshi “Nënë Tereza”, në rrugët lidhëse me to nuk do të lejohet parkimi i mjeteve si edhe do të bllokohet në momente të caktuara.

Merkel, pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, do të ketë takime të ndara me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe kryeministrin, Edi Rama. Pas përfundimit të takimit Merkel dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.

Gjithashtu në kuadër të vizitës zyrtare të Kancelares gjermane do të organizohet konferenca e biznesit Shqipëri – Gjermani. Konferenca do të hapet me fjalën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Arben Ahmetaj; sekretarit të Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë, Rainer Baake dhe presidentit të Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri (DIHA), Rolf Castro-Vasquez dhe më pas do të vijoje me tre panele.

Konferenca do të mbyllet me fjalën e Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel për “Perspektivat Ekonomike dhe Politike të Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button