PANAIRI I KOTËSISË

Koha kalon mbi shpinën tonë. Na shkel. Mosmarrëveshjet midis shqiptarëve rriten. Njëqind e një ide ka dhe plasohen për të na e mbushur mendjen të bëhemi me ta. Secili na do për vet. Të jemi në shërbim të idesë dhe ideologjisë së caktuar. Disa thonë: na duhet bashkimi kombëtar, disa – s’na duhet, të tjerë janë zënë me polemika fetare,  me zënka të imta e të papeshë krahinore: jo veriu, jo jugu. I japin zor të “japin argumente të forta” se cila fe është e vërteta, islami apo krishterimi.

Ndërkohë lumi i njerëzve që e braktisin vendin për të mos u kthyer kurrë shkon duke u fryrë. Asnjë nuk shkon nga lindja, ndonëse i mbrojnë vlerat lindore, po shkojnë nga perëndimi, vlerat e të cilit i anatemojnë.

Nuk duket fare se do të takohemi në atë pikën që quhet dinjitet dhe vlera kombëtare.

Jemi bërë ushtarë të partive të ndryshme. Disa janë me Ramën, disa me Salën, disa me Hashimin, disa me Isë Mustafën, dikush është me Alinë, disa të tjerë me Menduhin. Më pak janë me vetëvendosjen. Dihet se pse! Kush nuk është me Hashimin, është armik i qeverisë. E meqë qeveria e Kosovës identifikohet me “popullin e Kosovës”, atëherë mesazhi është i qartë: kush s’është me ne – është armiku ynë! Këtu vetëm serbët nuk i fusin në thesin e “popullit të Kosovës,” të tjerët po! Serbët mbeten serbë – me flamuj, me gjuhë e të lidhur vertikalisht me Beogradin. Vetëm ata trajtohen si miq e madje edhe më tepër se miq.

Ka edhe nostalgjikë që mbahen për emrin e Enverit. Thuajse të gjithë kemi zënë prita kundër  secilit. Asnjëri nuk angazhohet për çështjen kombëtare shqiptare që duhet të jetë përgjegjësi kolektive, por fenë si përgjegjësi individuale që është e kanë ngritur në shkallën e përgjegjësisë kolektive.

Jemi në kohën e një spektakli të paparë: asnjëra parti nuk është e gatshme të bashkëpunojë me partinë tjetër në hapësirën tonë etnike. Asnjë lider nuk do të shihet me liderin tjetër, asnjë klerik nuk do të t’ia shtrijë dorën klerikut tjetër. Ani se të gjithë flasin për botën e përtejme, rrymat e tashme politike brenda bashkësive fetare mendjen e kanë vetëm te kjo botë, më shkurt te paraja. Dhe, gjithsesi edhe pushteti. Ato shkojnë bashkë, janë të pandashme. Kjo nuk u ndodh serbëve. Ata i respektojnë katër S-jat e zyte.

Të gjithë liderët e partive tona  dhe të formave të tjera të organizimit politik, sa janë, e ku janë ulur në kolltukun prej kadifeje janë trima të paparë, por kur dikush i quan “divo pleme”, kur i ndëshkojnë komunat shqiptare me para të imta nga buxheti, kur s’e lejojnë gjuhën shqipe të jetë gjuhë zyrtare ashtu si e lyp Kushtetuta, atëherë trimëria zbehet e del në skenë heshtja. Ndërkohë të rinjtë bashkë me familjet e tyre, me gra e fëmijë ia mbathin. E dinë më, kjo shihet si në shuplakë të dorës: këtu nuk shohin perspektivë. Vetëm ata që s’kanë mundësi të largohen për shkaqe familjare detyrohen të shkojnë të kërkojnë libreza partiake dhe presin. Ndoshta ndonjë ditë do t’u hapet ndonjë mundësi, ndoshta do t’u buzëqeshi fati të punësohen në administratë dhe do të marrin rroga duke ndenju në shtëpi. Ndoshta.

Mjegulla e ka mbuluar hapësirën tonë. Guximi e trimëria, analizat dhe gabimet e politikës, kritika për prefektët dhe për të gjitha ato që ndodhin në kulturë, në arsim, në ekonomi nuk i thonë publikisht shumica. Por vetëm në ndeja. Veçmas i heshtin veprat kriminale e korruptive. Trima janë vetëm me fjalë. Dhe, këta trima vazhdimisht i votojnë liderët më të kritikuar, partitë me të cilat janë më pak të kënaqur. Në zgjedhje trimat duken si strucë: disa nuk dalin në zgjedhje, të tjerët votojnë ato parti për të cilat nuk kanë lënë gjë të keqe pa e thënë. Bëhen të dëgjueshëm.

Dikush, i rralli, e pëson për shkak se e shpreh pakënaqësinë për ndalimin e fjalës së lirë, për mediat e vëna nën kontroll, për ndarjen e buxhetit pa kritere që u përgjigjen interesave tona. “Kush va lun atine. Kush janë ato t’folin? E kanë gërkau, e kanë xhet. Xhi krauhen agje ku s’e kanë vendin”.

Këtu vetëm njeriu është i parëndësishëm

Fëmijët më së paku.

Këtu ngrihen përmendore, porta triumfale, kisha e xhamia. Po i the dikujt se duhen shumë çerdhe për fëmijët, pra për institucione që e ndërtojnë të ardhmen, atëherë sytë t’i nxjerrin. Këtu bashkohen edhe rrymat e papajtueshme të BFI-së.
Këtu është panairi i kotësisë, nëpër të cilin kalon koha dhe na shkel pamëshirshëm duke na lënë në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button