Studimet e disperzuara, populizëm i dëmshëm

Në kushte mësimore ideale, me kuadro të mirë të përgatitura arsimore disperzimi i studimeve do të ishte në favor të të rinjve gjatë arsimimit të tyre të lartë. Megjithatë, në një shtet si ky ku sipas gjitha raporteve ndërkombëtare, partizimi ka depërtuar edhe në qelizat më të vogla të shoqërisë ndërsa mungon kuadri kualitet i mësimdhënies, arsimi është shndërruar në mjet për realizimin e qëllimeve partiake. Sidomos gjatë fushatave elektorale kur premtohen “gjitha gjërat e mundshme dhe pamundshme” për hir të populizmit vetëm për të fituar votën, vlerësojnë për Portalb, njohësit e rrethanave. Pas “pauzimit” të 29 prej 41 drejtimeve të disperzuara të USHT-së,  thonë ata, si dhe duke mos pasur një analizë konkrete për efektin dhe dobinë që ka sjellë ky disperzim secili qytetar me të drejtë hamendet nëse studimet e disperzuara ishin nevojë reale apo thjeshtë një populizëm i dëmshëm.
LEXO: “Bombat” që po shkatërrojnë arsimin shqip në Maqedoni

Ish-ministri i arsimit, Sulejman Rushiti  për Portalb thotë se edhe në këtë sferë janë marrë vendime populiste dhe janë disperzuar programe studimore për nevoja të politikës ditore

“Një pjesë e studimeve të disperzuara janë të arsyeshme dhe të nevojshme. Për disperzimin duhet të merren disa parametra parasysh: ekonomik, finansiar, zhvillimor, gjeografik etj. Por, si në të gjitha sferat e tjera edhe në këtë sferë janë marrë vendime populiste dhe janë disperzuar programe studimore për nevoja të politikës ditore.” thotë Rushiti.

Ish-deputeti, Izet Zeqiri shprehet se qeveria VMRO DPMNE dhe BDI ka akredituar 65 programe studimore të disperzuara të Universiteteve publike në Maqedoni, për qëllim më shumë politik se sa arsimor dhe shkencore.

”Ky disperzim u bë për të ndikuar politikisht te studentët dhe për të tërhequr sa më shumë votues në zgjedhje. Pra nuk është akredituar sipas procedurës së nevojshme, pa debat publik, pa një analizë të mirëfilltë të nevojave për universitete dhe pa analizë të tregut të fuqisë punëtore. Kjo ka bërë që studentët në programet e disperzuara të mësojnë nëpër kafene, në kopshte fëmijësh, nëpër shkollat fillore dhe të mesme, nëpër fabrika, në shtëpitë e punëtorëve, në shtëpitë e kulturës, në vendpushimet e fëmijëve etj. Pasojat kanë filluar të ndjehen në uljen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Me këto reformat të bëra më shumë për qëllime politike se sa arsimore ka filluar shkatërrimi i reputacionit të profesionit akademik dhe institucioneve të larta arsimore. U cenua autonomia e universiteteve, u dobësua cilësia e shërbimeve arsimore, u bë rritja e numrit të studentëve të cilët nuk janë të aftë për të studiuar dhe ajo që është më tragjike krijimi i shumë kuazi pedagogëve ‘të rinj’ brenda natës.”-thekson Zeqiri, profesor universitar.

Sipas studentit Abdylvehab Ejupi, sistemi i disperzimit të fakulteteve në teori ishte korrekte, por në praktit çaloi, ishte populizëm i dëmshëm që e varrosi cilësinë e arsimit në Maqedoni.

“Në Maqedoninë e hiperpartizuar imune nuk mbeti as shtylla kurrizore e një shteti dhe populli, arsimi. Fakultetet e disperzuara në mënyrë rapide tejkaluan “misionin primar” që kishin, mundësia për arsimim të njejtë/barabartë për të gjithë, dhe shpejtë u shndërruan në “mundësi” për marrje/blerje të diplomave në mënyrë të njejtë/barabartë – (me përjashtime) pa dije dhe vetëm me një librezë partie!!! Fakultetet e disperzuara në qytete të ndryshme në Maqedoni u shmangën misionit të tyre primarë – dhënia e mundësisë shumë të rinjve të cilët jetojnë jashtë kryeqytetit që me shpenzime më të vogla pa udhëtime të regjistrohen, të studiojnë, të fitojnë dije, të profesionalizohen edhe ta përfundojnë arsimin e tyre të lartë ashtu siç i ngjanë një studenti normal. Tani ata fakultete të nxëna nën kthjetrat e fuqishme të partive në pushtet, u shndërruan në shtabe partiake ku punësohen si profesor-të dëgjueshmit partiakë, të cilët ligjërojnë dhe punojnë me skripta të shtypura sipas urdhërit partiak dhe të cilat prodhojnë (me përjashtime të vogla) ‘studentë’-ushtarë partiakë. Sa më tepër që shtoheshin fakultetet e disperzuara aq më tepër forcohej propaganda partiake dhe aq më shumë fitonin pushtet partitë aktuale qeveritare… Këtu, pra arsimi në përgjithësi dhe në studimet/fakultetet e disperzuara në veçanti, sasia mbyti cilësinë, e partia varrosi rininë!”-elaboroi Ejupi.

Sipas tij, shkatërrimi i arsimit është arsyeja e degjenerimit, dekadencës dhe tatëpjetës së pafundshme të shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi në Maqedoni, andaj thekson: “Është nevojë urgjente për ringjalljen e arsimit dhe Universitetit në veçanti!”

Për Portalb u shpreh edhe kryetari i Unionit Studentor Shqiptar, Arben Hajrullahi: “Sa i përket fakulteteve të disperzuara, ato në rend të parë mund të shihen si populizëm, por në esencë mund dhe duhet të jenë në shërbim të ngritjes së vetëdijes arsimore në shoqërinë tonë shqiptare. Jemi deshmitarë që të rinjtë tanë duhet motivuar për studime universitare, por në anën tjetër është evidente edhe gjendja e rendë ekonomike dhe sociale e popullit tonë. Prandaj, nëse këto fakultete të disperzuara menaxhohen mirë nga institucionet arsimore ato mund të jenë shumë të dobishme, ndërsa në të kundërtën mund të mbeten vetëm për populizëm dhe në shërbim të politikave ditore.” /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button