Jabllanoviq: Specialen ta formojë OKB-ja

Kryetari i Listës Serbe Aleksandar Jabllanoviq ka deklaruar sot se “Prishtinës zyrtare nuk duhet t’i jepet një mundësi e dytë për të formuar Gjykatën Speciale për krimet e luftës që i ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, porse këtë gjykatë duhet ta formojë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Jabllanoviqi në një deklaratë për Tanjug-un ka thënë se serbëve kurrë nuk iu dha një rast i dytë dhe se mendon se do të ishte gabim po qe se bashkësia ndërkombëtare i jep Prishtinës edhe një mundësi që të formojë Gjykatën Speciale.

“Gjykata sigurisht do të themelohet. Nëse pyetem unë nuk do t’u jepja edhe një shans, sepse shansin e madh tashmë e humbën. Viktimat serbe ranë më 1998 dhe 1999 dhe asnjë gjykatë s’do t’i kthejë, kështu që nuk duhet ngutur me votimin e ndonjë zgjidhjeje të pavolitshme:, ka thënë Jabllanoviqi për agjencinë serbe.

Sipas tij, përgjegjëse për mosformimin e Gjykatës është “ekskluzivisht Partia e Hashim Thaçit”, ngase deputetët e tij bënë obstruksion gjatë votimit.

Fakti që Kuvendi i Kosovës nuk e votoi projektligjin për Gjykatën dhe amendamentet kushtetuese, sipas Jabllanoviqit, tregon se te liderët politikë shqiptarë dhe përfaqësuesit e tyre në Parlament “mungon gatishmëria dhe vullneti për të pranuar se në Kosovë pati edhe viktima serbe, se kanë pësuar në krimet e rënda dhe të përgjakshme të UÇK-së”.

Ai ka shtuar se ka ardhur koha që ato krime të tregohen dhe fajtorët të dënohen”.

Lajme të ngjashme

Back to top button