Zhbogar: Vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është i mirë

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel  Zhbogar ka deklaruar sot se vendimi i Qeverisë së Kosovës që të ndalojë vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale nuk është i mirë.

Zhbogar ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e ardhjes së zyrtarëve serbë është rezultat i nervozes së të dyja palëve. Ai ka theksuar se nuk është mirë që ky vendim të mbetet në fuqi një muaj.

“Mendoj se është e tepërt të ndalohen të gjitha vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, gjatë zgjedhjeve, pasi që e dimë se është në interesin e gjithë neve që sa më shumë njerëz të dalin në zgjedhje. Në këtë kuptim, është me rëndësi që të vijnë zyrtarët serbë që t’u shpjegojnë njerëzve se çfarë do të ndodhë me shëndetësinë, me arsimin, a do ta humbin punën ose jo, posaçërisht në veri  ka shumë pyetje të cilat ende nuk kanë përgjigje”, ka thënë Zhbogar për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe.

Duke komentuar paralajmërimin e Beogradit se vendimi i tillë i Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojë dialogun e Beogradit dhe Prishtinës, Zhbogar, thotë se në këtë mënyrë edhe Beogradi shpreh nervozë. “Mendoj se duhet të ulim pak tensionet dhe të mendojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, ka theksuar Zhbogar.

Lajme të ngjashme

Back to top button