Italia në zi kombëtare

Italia është duke mbajtur një ditë zie kombëtare, pasi një anije e tejmbushur me mbi 500 emigrantë afrikanë mori flakë dhe u fundos në afërsi të ishullit të Lampedusës.

Të paktën 103 trupa janë rikuperuar në det nga ana e forcave të shpëtimit, ndërsa mbi 200 persona janë zyrtarisht të humbur e besohen të vdekur.

Më shumë se 150 persona janë shpëtuar dhe në dëshmitë e tyre konfirmohet dyshimi që mbi 500 persona ndodheshin në bord.

Shumica e klandestinëve ishin shtetas nga dy vende të varfëra afrikane si Eritrea apo Somalia.

Kjo nuk është një tragjedi italiane, por një tragjedi me përmasa europiane. Lampedusa duhet të konsiderohet si një kufi i Europës dhe jo si një kufi italian

Drejtuesi i trafikut ilegal, një 35-vjeçar nga Tunizia u arrestua, lajmëroi në një vizitë në Lampeduza ministri i Brendshëm, Angelino Alfano.

Ishulli në fjalë është skaji më jugor i Italisë dhe një urë e përshtatshme kalimi për në vendet e BE-së për emigrantët afrikanë, për shkak të afërsisë gjeografike me vendet e Afrikës së Veriut.

 ”Kjo nuk është një tragjedi italiane, por një tragjedi me përmasa europiane”, deklaroi Alfano. “Lampedusa duhet të konsiderohet si një kufi i Europës dhe jo si një kufi italian”.

Një ditë heshtje do të mbahet të premten në të gjithë shkollat italiane në kujtim të viktimave.

Ndërkohë, operacionet e kërkim shpëtimit në det të hapur janë duke vazhduar, ndonëse shpresat për të mbijetuar tashmë janë pothuajse zero.

Për arsye ende të paqarta, anija mori flakë rreth një milje pranë brigjeve të Lampeduzës dhe u fundos brenda disa minutash, duke i kushtuar jetën kështu shumë emigrantëve të varfër, mes tyre edhe dhjetëra fëmijë e gra. (TCH)

Lajme të ngjashme

Back to top button