Mësuesit e harruar

I kam mbërritur edhe unë ato kohëra kur mësuesit ishin autoritet, ishin njerëz që kishin respekt në shoqërinë shqiptare. Ishin kohë kur populli ia hiqte kapelën mësuesit. Ngado që sillej ai e kishte vendin e nderit. Kishte status. Ishte zotëri mësuesi e ishte zonjë mësuesja që qëndronte në ballë të betejës për mbrojtjen e identitetit tonë. Tash është ndryshe. Krejtësisht ndryshe. Respekti u takon, jo mësuesve, po politikanëve të cilët kanë arritur te kolltuku, ashtu si kanë arritur dhe ashtu si e dimë të gjithë, por s’e themi dot nga kjo ose ajo arsye. Atëherë nuk kishte kalkulime sepse poreznikun, udbashin, çinovnikun s’e donte kush. Për çdo hall i drejtoheshin mësuesit, kurse mësuesi gjithmonë e shfrytëzonte çdo rast ta madhërojë të vërtetën, arsimin dhe dashurinë për popullin. Me mësuesin populli e ndante të mirën e të keqen.

Kush nga më të moshuarit mund t’i harrojë mësuesit e ardhur nga normalja e Elbasanit? Disa nga këta heronj ishin: Afërdita Deliana, Afërdita Gjylabi, Afërdita Monçi, Antoneta Gjylabi, Fatbardha Çaushi, Elena Todi,  Enrieta Panduku, Liri Topalli, Marije Dashi, Marika Shala, Violeta Monçi, Alush Balteza, Bexhet Hoxholli, Dalip Zejneli, Dede Shala, Dhimitër Fullani, Enver Agolli, Enver Palluqi, Edip Tërshana, Faik Pajuni, Gani Daiu, Gani Jahja, Gjergj Bullati, Hamit Pitja, Hasan Belshaku, Hasan Preka, Hysen Pajenga, Jonuz Balla, Jorgji Shuteriqi, Josif Todi, Mahmut Torro, Mexhit Bekteshi, Myfit Synojmeri, Myrtezan Katzadei,  Nexhip Minarolli, Nos Deliana,  Nos Topalli, Pandi Treska, Qamil Skuqi, Qemal Agolli, Ruzhdi Guranjaku, Skënder Hoxha, Skënder Tupja, Spiro Gjini, Todi Dhamo, Tomorr Starova, Thoma Kalefi, Vangjel Daka, Vasil Andoni,  Vasil Papajani, Vasil Papajani, Xhaferr Narazani, etj. Të gjithë ato zonja e ata zotërinj, përveç shkronjave shqipe e sillnin edhe frymën e lirisë dhe të krenarisë të cilat pushteti i kralevinës i kishte shkelur me çizme dhe pa mëshirë.

Këta heronj e iluministë shkuan duke i lënë gjurmët e tyre të cilat kërkojnë nga ne të jemi bashkë rreth gjuhës shqipe dhe indit kombëtar, si garanci për të ardhmen e fëmijëve dhe të nipave tonë. Ne, i shohim këto gjurmë, por sillemi si të verbër dhe si të tillë shkojmë pas interesave të vogla politike, pas jangllësh-liderëve. Gjithë këta emra-përmendore i kemi, kurse ne u gëzohemi si fëmijë ndërrimit të vetëm dy emrave të shkollave. Punë e madhe fort! Ku janë emrat e lartpërmendur dhe emrat e veteranëve të tjerë?  Çdo shkollë ku jetojnë shqiptarët, çdo rrugë duhet të ketë emra të figurave të mëdha të së kaluarës sonë. Këto figura janë shkruar në tabelën prej akulli dhe presim vapën që t’i bëjë të dukshëm.

Emrin e shkollës mund t’ia vësh shqip kudo – në Amerikë, në Zvicër, në Norvegji, në Kanada, në Australi nëse nxënësit i ke shqiptarë. Jo një ose dy emra shkollash, por të gjithë këta emra duhet ta gjejnë emrin e ndonjë shkolle, të ndonjë rruge apo institucioni. Dhe, jo vetëm këta, por edhe emrat e veprimtarëve e shkrimtarëve shqiptarë, të cilët në mënyrë aq të vrazhdë hidhen në harresë.

Kështu ndodh vetëm këtu. Kjo na ndodh vetëm neve.

Prandaj profesioni më pak tërheqës për rininë është profesioni – mësues. Të rinjtë do të kishin zgjedhur me dhjetëra e dhjetëra profesione të tjera se sa të bëhen mësues. Pse të bëhen? A të përçmohen a?

Mësuesi i ditëve të sotme është i thyer, i nënshtruar, i harruar nga politika, nga pushteti. Ai ditën e kalon duke u djersitur midis nxënësve të cilët nuk mësojnë sepse e dinë se në fund të vitit do të shpërblehen me sukses të shkëlqyeshëm nga dora e padukshme. Aty, te notat e te suksesi, mësuesi i ditëve tona nuk ka pushtet. Mësuesit i mbetet vetëm mundi i derdhur.

I gjori mësues pasdite është i detyruar ta anëtarin e kryesisë së nëndegës për ndonjë çështje që lidhet me nevojat e shkollës, kurse natën e kalon para kompjuterit duke i drejtuar brirët e dashit në programet absurde të ditarëve elektronikë dhe të të shkruarit e të ashtuquajturave konspekte. Po leximi? Jo. Leximi për mësuesin është luks, sepse nuk ka kohë. Në pastë pak kohë, ai duhet të gjejë një punë plotësuese. I duhet kjo punë të fitojë diçka për t’i mbuluar shpenzimet elementare që i duhen një familjeje të mbijetojë.

Gjithë kjo hallakamë e ka rrënuar mësuesin. Ai vazhdimisht është në zgrip të depresionit, me maninë e ndjekjes nga fantazmat që s’e lënë të qetë. Mësuesin shpesh e sheh në ambulancë për shkak të nervave të shkatërruara, ndonjëherë duke i shkuar rreth e përqark tregut për të gjetur perime më të lira për dy pare.

Mësuesi e pret verën të pushojë pak nga kontrollorët e ndryshëm të arsimit, ta heqë barrën e rëndë të burokracisë nga shpina, të pushojë nga nxënësit e painteresuar për mësim, nga indiferenca e tyre e patolerueshme, mirëpo urdhri nga Ministria e arsimit është që  mësuesi të shkojë çdo ditë në shkollë, ani se janë pushimet verore. Në mos pastë punë, burokracisë i mjafton t’i dëgjojë zërat e hapave të mësuesit në korridor ose ta shohë nënshkrimin e tij. I duhen burokracisë hapat e mësuesit të munduar për shkaqe mazohiste, i duhet  ky nënshkrim që të ketë mbulesë kur ta dënojë mësuesin pse është vonuar në zbrazëtinë shurdhuese të shkollës që ka rënë në thellësitë e heshtjes verore.

Tregimi për veprimtarët tonë të dikurshëm është i dhembshëm. Arsyeja: vetë i hedhim në greminat e harresës. Më i dhembshëm është tregimi për mësuesit e sotëm. Ata pushteti i ka lënë të luftojnë për copën e bukës dhe të sillen vërdallë në labirintin e eksperimenteve absurde që bëhen me arsimin. Dhe, ua ka marrë statusin që e meritojnë.

Mësuesit të sotëm nuk i dëgjohet zëri. Shanset e tij për ndonjë status të merituar në shoqëri, një herë për një herë, janë të barabarta me zero.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button