Ec e buzëqesh pastaj!

Lexon në gazeta, revista e portale të ndryshme, përveç të tjerave, të thonë se: “Të buzeqeshesh të shton jetën”, “Buzëqeshja asgjë nuk kushton, por ka domethënie të madhe”, “Buzëqeshja është çelësi i zemrave dhe i suksesit”, etj.etj…, hë thua, po kjo është gjë e lehtë, vetëm do të buzëqesh dhe jeta do të zgjatet. Mirë ama kur provon ta praktikosh e shehë sa e “lehtë” është kjo punë.

Zgjohesh në mëngjes, shkon në banjo, ujë nuk ka, nuk mundesh as ti lash sytë e lëre më të pastrohesh si njeri, gjindesh disi me shishet e mbushura me ujë nga gjyshja plakë që i ka ruajtur për të marrë abdes. Përgatitesh disi dhe del te stacioni ku duhet të vijë ndonjë autobus apo furgon-taksi. Pret një gjysmë ore dhe ja më në fund duket një furgon-taksi, e çon dorën të ndaloj, ndërsa shoferi të bënë me shenjë se nuk ka vend. Duhet të presësh edhe një gjysmë ore tjera dhe vjen tjetri fatmirësisht ka vend të lirë dhe nisesh. Sa hipën muzika në kulm një tallava bajate, aty afër një grua me një vajzë ia kanë kurdisur muhabetit sikur janë në kafe muhabet apo mbas ditë për çaj te njëra tjetra. I shoqëruar me bisedën e tyre dhe me piskamat e këngëtarit e duke thithur edhe tymin e duhanit që një mesoburë e ka ndezur dhe bënë pikën e qejfit sikur të ishte në dhomën e tij të ndejes e jo në një ambient të mbyllur ku duhani është i ndaluar…  arrinë në vendin e caktuar. 
Zbret nga furgoni dhe nisesh për në fakultet. Duke ecur nëpër trotuar një veturë parakalon me shpejtësi dhe me rrotat e saja hynë në gropën përplotë me ujë të cilin ta shpërndanë në trupin tënd. E shanë ndër vete, por ske çka i bënë, ai largohet akoma më shpejtë. Stë mbetet tjetër gjë vetëm se me një leckë ti pastrosh pjesët e lagura të rrobave dhe të vazhdosh rrugën.

Rrugës duhet të kesh kujdes që mos të të vërsulet “kopeja” e qenve endacak, sepse e pëson shumë keq, ashtu siç e pësoi një shoku im.

Kalon përskaj të ndonjë kontejneri që kundërmonë erë qelbësirash, ku një plak i shkurtër me mjekrën e pa rruar me kokën e futur brenda seç kërkon aty nuk e kuptoj fare, ku përveç erës së qelbur nuk ka tjetër gjë, ai nga njëherë e nxjerr kokën jashtë, mbase për të marrë frymë, as që e vret mendjen se e shikon kush apo jo, dinjiteti burrëror i mjekrës së tij matet vetëm me ndërgjegjen e humbur të atyre që duhej të kujdeseshin për te! 
Mos ishte vallë ai?!  Jo, jo, nuk ishte Migjeni, ai ishte pa mjekër dhe vdiq i ri shumë i ri… (seç mu kujtua Migjeni, mbase vetëm atij mund ti buzëqesh mjerimi!).

Më në fund arrinë në fakultet, në amfiteatër kolegët e tu presin profesorin edhe ti u bashkëngjitesh atyre dhe vazhdon ta presësh profin, e ai nuk vjen, e pret një orë dy orë dhe asgjë, në fund vjen dikush dhe thotë, duhet ta lëshoni sallën sepse studentët tjerë kanë ligjërata dhe se profesori nuk vjen sot, është në mbledhje…, kush e di se në çfarë mbledhjeje?! 

Duhet të kthehesh në shtëpi. Pret autobusin, ai përsëri vonohet si gjithmonë…

I lodhur nga dita e pasuksesshme në mbrëmje me qejf pret ndeshjen e futbollit të kombëtares. -Kësaj rradhe do të fitojmë kemi një kundërshtarë të dobët, gjasat për kualifikim i kemi të mëdhaja. 

Fillon ndeshja, futbollistët tanë dominojnë në lojë, por nuk kanë organizim të mirë… 
Në momentin më interesant ndalet rryma, ofshamë, ndezen qirinjtë, pas disa minutash vjen rryma, gëzohesh, por shkurtë, televizori nuk ka program, ata të kabllovikut si duket kanë problem, nervozohesh…, pas disa minutash vijnë programi, më në fund kujton se rehatohesh, por jo, kundërshtari shënon një golë…, nervoza fillon të rritet, por shpresa ka, ka edhe shumë për tu luajtur, në vend që të barazojmë marrim golin e dytë, pastaj të tretin…sharrjet ndër dhëmbë vazhdojnë dhe në fund kombëtarja pëson disfatë. Katastrofë! Nëse ke luajtur ndonjë tiketë dhe për kombëtaren ke vendosur fitore zhgënjimi dhe inati janë edhe më të forta.

I nervozuar ndron kanal, fillojnë lajmet, çtë shohësh: në kufirin maqedono kosovar (dy shtete të brishta) matin inatin, dy qeveritë matin forcën e durimit të qytetarëve dhe aftësinë rezistuese të domateve për tu kalbur nëpër kamiona që presin ta kalojnë kufirin.

Kur përfundoi lufta, atëbotë,  thash me vete: shiqir që përfundoi kjo luftë e shkretë, jo për tjetër gjë, mendoja nuk do të ketë lajme më në televizor. Sepse si fëmijë, mendoja se pas luftës nuk do të ketë më lajme. Lajmet që atëherë për mua janë sinonim i luftës i së keqes sepse më përkujtojnë ikjen e njerëzve, frikën nga vrasjet, nga vdekja, kurse mbyllja e kufirit me Kosovën  paradokohe dhe lajmet lidhur me te akoma më shumë më kanë shtuar inatin ndaj lajmeve, kush e di sa e bukur do të ishte bota pa lajme?!… Nga inati e fik televizorin. 
Provon të shohësh të rejat në facebook, por nuk ka internet, të duket vetja i izoluar nga bota, e fik edhe kompjuterin dhe shkon të flesh, por gjumi nuk të merr.

Të kujtohen thëniet e bukura se me buzëqeshje përhapet gëzimi, optimizmi dhe lumturia, provon edhe para gjumit të buzëqeshësh, por nga ngjarjet e ditës përpjektet e mundimshme për një buzëqeshje të shkojnë kot.

E kush nuk do të kishte dashtë të buzëqesh, por kur të kalosh nëpër këto peripeci të përditshme, ec e buzëqesh pastaj!

Lajme të ngjashme

Back to top button