Rexhepi: Namazi nuk mund të falet maqedonisht, Bozhinovska të kërkojë falje

Namazi asnjëherë nuk mund të kryhet në gjuhën maqedonase, kurse deklaratat e Valentina Bozhinovskës janë të përshpejtuara dhe nacionaliste. Kështu iu kundërpërgjigj kreu i BFI-së, kërkesës së drejtoreshës së Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare që ritet fetare të maqedonasve myslimanë të kryhen në gjuhën maqedonase.

“Nëse është vërtetë ashtu siç është deklaruar, është gabim, për arsye se lutje, namazi në të gjithë botën bëhet në gjuhën arabe dhe në asnjë gjuhë tjetër. Sa i përket lutjeve të thjeshta për shembull lutje me rastin e leximit të Mevludit, pas ngrënies së bukës, dhe lutje të tjera të thjeshta nuk ka pengesë që të bëhen në të gjitha gjuhët e popujve. Por për namazin nuk ka teori. Jo sepse ky është qëndrim i BFI-së por është qëndrim i sistemit juridik islam, madje me kompaktësi askush nuk mendon ndryshe. Është një çështje e prerë. Me siguri, zonja Bozhinovska ka qenë e pakontrolluar kur e ka dhënë atë deklaratë, sepse ajo është pasojë e një nacionalizmi, me të cilin ajo është e ngarkuar por këto punë nuk shkojnë kështu, nuk pinë ujë tek parimet islame”, u shpreh për Alsat-M, Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së. Rexhepi madje kërkoi nga Bozhinovska përmirësimin e deklaratës dhe falje publike.

Ja se çfarë tha Bozhinovska:

“Të mos harrojmë se gjithnjë e më shumë është rritur nevoja e maqedonasve me besim islam, që ritet fetare në pikat e tyre të kultit, t’i realizojnë në gjuhën maqedonase sikurse në pjesën e Rekës. Ashtu të praktikohet në gjithë Maqedoninë”, theksoi Valentina Bozhinovska, drejtoreshë e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare.

Lajme të ngjashme

Back to top button