Shënohet dita e Komunës së Gostivarit, shpallet qytetar nderi Sadulla Zendeli – Daja

Me një ceremoni rasti të mbajtur në mjediset e Qendrës për Kulturë, për të dytin vit me radhë është shënuar Dita e Komunës së Gostivarit, 29 Qershori i vitit 1992.

Në prani të mysafirëve të ardhur nga Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina, drejtuesve të institucioneve shtetërore, atyre fetare, kulturore dhe sportive, deputetë, këshilltarëve dhe administratorëve komunal, si dhe qytetarëve të shumtë të Gostivarit, fjalim mbajti kryetari Nevzat Bejta.

U shënua dita e Komunës së Gostivarit, 29 Qershori (8)

Bejta theksoi se nga qershori i vitit 2014 dhe deri tani janë realizuar mbi 60 investime shumica e të cilave kapitale dhe me rëndësi të madhe për qytetarët e Gostivarit.

“Programi jonë zgjedhor i paraparë të realizohet për katër vite është drejtë përfundimit për vetëm dy vite të mandatit tonë. Përmirësimi i kushteve në arsim ka qenë një prej prioriteteve kryesore. Investuam në shumë shkolla. Arritëm që shkollat publike ti bëjmë më të mira se shkollat private. Disa nga këto investime u realizuan me buxhetin e komunës së Gostivarit, dhe disa investime të tjera me financa të siguruara nga donacione të ndryshme nga brenda dhe jashtë Maqedonisë. Dua të përmendet mbështetja e dhënë nga firmat e ndryshme private të Gostivarit, të cilët ndanë mjete nga buxheti i tyre familjar për të ndihmuar shkollat tona, për çka ju shprehim mirënjohje dh falënderim publik”, tha mes tjerash kryetari Nevzat Bejta, i cili me këtë rast po ashtu theks të veçantë i kushtoi bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.

Ndryshe, me rastin e Ditës së Komunës së Gostivarit, kryetari z.Nevzat Bejta në ceremoninë solemne shpalli qytetar nderi veprimtarin dhe krijuesin Sadulla Zendeli – Daja duke i dhuruar dhuratën që simbolizon çelësin e qytetit.

Në nder dhe respekt të tij, kryetari z.Nevzat Bejta organizoi takim në kabinetin e tij, ku të pranishëm ishin edhe një delegacion nga Republika e Shqipërisë në përbërje Fatmir Toçi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Irena Toçi drejtoreshë e Institutit të Librit dhe promocionit në Shqipëri si dhe shkrimtari Viron Kona, Bujar Poçari, Demir Osmani dhe Mal Buçpapaj nga Tirana.

Simbolika e takimit mjaftë të ngrohtë dhe miqësor ishte dhurata që miku i tij nga Tirana Viron Kona ia bëri veprimtarit nga rrethina e Gostivarit, Sadulla Zendeli – Daja. Ishte libri dedikuar pikërisht jetës së veprës së tij me titull “Ju dua më shumë se veten”.

Lajme të ngjashme

Back to top button