Ese mbi patriotët e rremë

 “Patriotizmi është strehimorja e fundit e faqeziut”
                                                                    Samuel JOHNSON

I.
Me fjalën PATRIOTIZËM latinët kuptonin atdheun, dashurinë ndaj vendit dhe popullit. Ndërkaq, termi PATRIOT, i përdorur së pari gjatë Revolucionit Francez (1798), shënon njeriun që është i gatshëm të flijohet për të mirën e atdheut të tij.
Mirë ama, shumë herët, krahas atyre që atdhetarinë e kuptonin si diçka që ka të bëjë me kryerjen e ndershme të detyrave të profesionit, mbinë edhe ata të tjerët: PATRIOTËT E RREMË, që gjetën strehim komod brenda lëvozhgës së kësaj fjale. Të tillët vijnë e bëhen shumicë në panairet e qenieve që kanë humbur vetveten dhe n’cirqet ku GJENERALËT E PASLUFTËS u prijnë betejave fiktive mbi mullinjtë e erës, duke droguar për gjynah pacientët e humorit të Perëndisë…
Për t’demistifikuar atdhetarët e gënjeshtërt dhe tabutotemin e quajtur SHTET, urtakët promovuan thënien e famshme “Ubi bene ibi patria” (Atdheu është atje ku është mirë), që korrespondon me thënien e Platonit: “Më afër njeriut është shteti i rregulluar më mirë”, që gjithashtu çmitizon, në mënyrën e vet, KULTIN mburojë të pseudopatriotëve.

Civilizimi perëndimor, ku sot mbretëron mirëqenia dhe bollëku, nuk i konsumon më fluskat që verbojnë budallenjtë dhe nxehin pa nevojë gjakrat e njerëzve të rëndomtë. Po Shqiptaria është tjetër. Këtu “patriotizmi” është profesion i levërdishëm dhe himen prapa të cilit mund të bësh shumë lezete, mund të bësh emër, mund të bësh karierë… Gjithçka mund të bësh si patriotiot i rremë. Të tjerët (kush merr guximin të thotë: TË VËRTETËT?) nuk e materializojnë idealin dhe gatishmërinë për flijim. Ata i kryejnë obligimet atdhetare në Drenicë…
Ekzistenca e patriotëve të rremë varet nga ekzistenca e antipodit të tyre – tradhëtarëve të kombit. Kur nuk ka të tillë, “patriotët” aktivizojnë inkubatorët e sofistikuar të gënjeshtrave dhe, pa hamendje, konvertojnë n’pisllëk bijtë e dëshmuar të kombit, vetëm pse s’pranojnë t’kullosin dhe t’pinë ujë në shpinë të lugës.

Shqiptarët kanë një përvojë tragjike dhe një listë të gjatë të emrave të shquar të kulturës kombëtare, që përfunduan si mos më keq, duke u fyer e poshtëruar me gjallje dhe pas vdekjes fizike, shih atëherë kur nuk kishin kurfarë mundësie t’u kundërvihen intrigave e këlbazave të farës së dreqit. Inkuizitorët tentuan t’i zhbëjnë tërësisht veprat e viktimave të tyre, për t’pamundësuar opinionet alternative. Fatmirësisht, këtë nuk e arritën, për t’pasur ne në duar demantuesit më të denjë të zuzarllëqeve e gërdive të personazhëve të këtij shrkimi – patriotëve të rremë.
Të kujtojmë veç emrat e disa krijuesve tanë letrarë të periudhave të ndryshme, sa për t’u rinjohur me bëmat e mendjes destruktive dhe farfuritë e Nasradinëve shqipfolës:

At Gjergj Fishtën e akuzuan si tradhëtar të kombit, sepse, mes tjerash, në poezinë satirike METAMORPHOSIS (tek “Anzat e Parnasit”), shkroi vargjet: “T’a dijë Shqypnia/ Prá e sheklli mbarë,/ Se mâ mbas sodit/ Uu s’jam Shqyptár…”; Ernest Koliqin e quajtën “tregtar flamujsh”, “fashist”, “proitalian”…; Faik Konicën e akuzuan si “aristokrat”, “njeri të saloneve”, ambasador që “ironizonte e qeshte vendin e tij, duke e quajtur ZULULAND…” etj.
Po kë tradhëtuan LIBERATORËT, të cilëve shqiptarët nuk u dhanë “as varr për hor”?

Gjergj Fishta – i pari kolos yni i propozuar për çmimin Nobel; “Homeri shqiptar”; shkrimtari i nderuar nga katër akademi shkencash e artesh; poeti që aq mjeshtërisht portretizoi “zogjt e shkinës” dhe “gomarët e Babatasit”; autori i “Lahutës së Malcisë” dhe satiriku që nuk lind më; “Apostulli i lirisë së Atdheut”; “Orfeu i Shqipnisë”; ai për nder të të cilit edhe një Eqrem Çabej ishte i gatshëm të bëhet katolik…, bëri tradhëti: vargu fishtian nuk i shkonte për hoshafi bashkimvëllazërimit grotesko-tragjik mes shqiptarëve e sllavëve, nga përthekimi i të cilit, ndoshta, ende s’kemi shpëtuar… Mu për këtë, vargjet e sipërcituara nuk u kuptuan si një satirë e fortë ndaj të tjetërsuarve nga etnia dhe Ëma e vet, por si deklaratë e turpshme dhe si akt tradhëtie i poetit të lavdishëm…

Ernest Koliqi – njëri ndër intelektualët më të kompletuar të viteve ’30-ta; “themeluesi i prozës moderne shqiptare”; autori i dhjetra studimeve dhe veprave letrare…; “ministri i arsimit (1941/42) që, nën përgjegjësinë personale, themeloi shkollat shqipe në Kosovë, duke dërguar atje 200 mësues shqiptarë, që vunë themelet e arsimit shqip në këtë trevë”…, u përskeq me “qufrin”: e preku nëpërkën në bisht, guxoi të sfidojë xhambastuxharët e vlerave tona më sublime, me novelën antologjike “Tregtar flamujsh”. Po, (shih çudinë!) iu mveshën, nga atdhetarët e rremë, njësoj si Fishtës, tiparet e heronjve të tij negativë – u pagëzua “tregtar flamujsh”!?
Faik Konica, ndërkaq, ka një histori përrallë më vete. Ky gjeni mëkatëmadh që prishte keq notën mesatare të Levantinëve të kohës; “enciklopedia e gjallë”; “biri më eminent i Shqipërisë”; “pionieri i pavarësisë”; zbuluesi i flamurit shqiptar dhe propaganduesi i Skëndërbeut; “mbrojtësi i indipendencës kombëtare”; eruditi që punoi me tërë qenien për themelet e ngrehinave më të rëndësishme të kombit – njësinë e gjuhës, njësinë e kombit dhe njësinë e shtetit shqiptar; “i vetmi njeri gjenial tek shqiptarët”; drejtuesi i revistës “Albania” – më të mirës të botuar ndonjëherë në shqip… – kësaj “enciklopedie, monumenti e akademie shqiptare të kohës”…, s’kishte çare pa hyrë në “tefterin” e tradhëtarëve të kombit. Kombit të shqiptarëve, që, akoma sot, ka problemin e nocioneve dhe emërtimeve të sakta të fenomeneve e dukurive…

Lista e “tradhëtarëve” është shumë e gjatë, po vallja jonë ciklike nuk i qas nihilistët e kategorisë së atyre që SOT bartin emra qesharakë fatmirësh. Megjithatë, për ata që kërkojnë t’u bien pash më pash Saharave shqiptare; për ata që dëshirojnë ta shijojnë me fund marrinë e kapërthimit të kategorive; për ata që duan ta provojnë përsheshin e kompetencave dhe t’ecin skajeve të muzgut të mendjes, propozojmë për lexim veprën “SHTATZËNIA E NJË MASHTRIMI” të PSEUDOnimit Avdi Berisha, të botuar para disa vitesh në Prishtinë, që shpirtshiturit, tok me pobratinët e tyre – bastardët shqipfolës, e shpërndajnë dorë më dorë si sihariqin e shekullit, për t’u njohur me autorin e “Çetës së mashtrimeve” – Pjetër Bogdanin; me këtë “gomar t’neveritshëm që Zoti ua hodhi qenve”; me “pusin e ujit të ndytë”; me “majmunin shqiptar”; me “tribunin popullor të popullit të keq”; me “pjellën e keqe”; me “njeriun me kulturë pleshtash”; me “aspak filozof-in, fare teolog-un, hiç njeri-un, pis humanist-in” dhe me “gënjeshtar-in, poshtërak-un, zagar-in, hipokrit-in, lugat-in, shpifës-in”…, për t’u bindur vetë se epitetet në fjalë janë veç hyrje në galerinë e madhe pamfletiste të tradhëtarëve shqiptarë, në krye të të cilëve qëndron “capexhiu” Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili mëkatoi rëndë, kur s’deshi ta çojë motrën vullnetarisht në haremin e sulltanit – aty ku i kanë nuset zgjebarakët e pusit shqiptar që s’pajtohen me racën që ua ndau hise Perëndia…

Pastaj, pasi ta kenë lexuar edhe këtë afish prej libri, të autorit që s’ka guxim të dalë nga anonimiteti i Avdi Berishës, do ta shohin goliç xhelatin e emblemave të kombit, do ta kuptojnë përse Skënderbeut, Pjetër Bogdanit e Gjergj Fishtës nuk u dihen varret dhe përse eshtrat e Faik Konicës ruheshin një kohë me polici speciale?, për të kuptuar, më në fund, se ajo që i bëjmë vetes, natyrisht, të yshtur në tru nga patriotët e rremë, ia kalon shumëfish propagandave, këlbazave dhe racizmit të kurajuar nga elaboratet famëkëqia të shkijeve të Teki Dërvishit …
Ata që s’e shohin rrezikun e veprave të patriotëve të rremë e që u besojnë marrëzisht llafeve me aromë atdhetarie, duhet të lexojnë edhe librat e shenjtë – Biblën dhe Kur-anin, sepse edhe kryedjajtë – Luciferi (Satanai) e Iblisi, për të painformuarit vazhdojnë të jenë engjëj të Perëndisë…

II.
Nuk e di pse, pas barikadave të mëdha vazhdimisht më fanitet patrioti i rremë, pleshti meskin që s’mund t’gjallojë pa mezdrat mbrojtëse, që nuk shkyhen kollaj në meset ku shtrin mbretërinë e saj të paskajshme mendja hodume dhe hatri i fisit të madh …
Është interesante psikologjia e Imcakëve, që s’e konceptojnë dot ekzistencën përtej hijes së Namuzit e Atdheut, ku mund t’i kapë syri i papërthekuar nga kllapia e transit kolektiv. Kështu të strukur n’prehra të sigurtë, ata fillojnë thurjen e rrjetës, ku do ngatërrohen patjetër të painformuarit – delet e Zotit dhe ata që qëndisin n’çorapë flamurin kombëtar.
Patriotët e rremë përbëjnë shumicën e STATISTIKËS së etnive të mbetura fis. Ata i ke kudo, po më së shpeshti i gjenë n’palestrat e koncerteve t’dreqit, n’xhepat e klerikëve politikë dhe prijësve të fesë, prej ku përpiqen të bëjnë veprime prapaskenike prej Zhozef Fusheje…
Patriotët e rremë nuk i kanë punët mirë në familje dhe nuk gëzojnë respektin e mëhallës. Ata nuk i kupton rrethi i ngushtë, ndaj dalin n’allaje më të gjëra ku nuk jepet llogari për shpiarllëkun dhe profesionalizmin në punë. Ata gjakojnë kompenzimin e fukarallëkut shpirtëror, duke u kapur për vlerash të përgjithshme dhe duke tentuar, në sajë të gjimnastikës së llafeve, ta fitojnë të drejtën e manipulimit me KATUNDIN e tërë…
Ata e thonë përherë të kundërtën e asaj që bëjnë, janë sedërli dhe hidhërohen pa masë nëse dikush merr guximin t’ua cullakosë imazhin dhe misionin prej zuzari.
“Atdhetarët”mbijnë nga vetvetja, me dëshirën dhe fjalën e Iblisit. Ata kanë aftësinë e regjenerimit nga çdo ekstremitet i trupit, si skrajat. Janë pjellë e nënsjetullave t’Luciferrit dhe të “turmës pa tru”.
Ata janë zanatlinj të mirë dhe specialistë të zahires së kopesë, të cilës i ofrojnë vetëm atë që ia rrëshqet midja më kollaj.

Patriotët e rremë janë nishanxhinj të pagabueshëm, tamam si heronjtë e asaj veprës së Andrej Voronjinit me titullin fantastik: “Qorrat gjuajnë pa gabime”. Po bëre u nise pas tyre, me besim prej viçi, mund të të vozisin me dekada, mund të të shpiejnë të vizitosh tërë kotësitë e botës, për të t’lemerisur në fund me justifikatën: “Na falni, ne ishim nisur në novejtore…”
Patriotët e rremë nuk shkojnë kurrë në luftë, se janë të zënë me mobilizimin e të tjerëve, “demek”, me ata që nuk duan të shkojnë në luftë. Ata janë specialistë për hartime strategjishë luftarake. Planet i hartojnë me pirunj të praruar mbi harta picash italiane të restaurant-eve me taverna dhe, natyrisht, mbi vithe të kollajshme pelushkash…
Përndryshe, heshtin dhe nuk pipëtijnë sa herë që bën pisk. Në kohëra të liga vetë i fusin këmbët në një çizme, po këtë e bëjnë me arsyetime patriotike. Zukatja e tyre, britmat patetike, zjarret dhe vreret atdhetare shpërthejnë pastaj, kur kalon rrëmeti. Dhe çuditërisht u ec kungulli mbi ujë, veçmas kur këto marifete i ushtrojnë në plantazhe kungujsh, pjeprash e kllounësh të papërmirësueshëm. Patriotët e rremë zgjohen pas shiut. Ata i trimëron gjallëria e pazarit të llafeve të mëdha, që shiten 24 orë në ditë tezgave ngjyrë sarillëku.
Patriotët e rremë kanë pranë vetes suitën dhe korrin e krijuesve çafka – buklat e artit naiv që me plehun e tyre letrar lartësojnë përmendoret e Marrisë…

Kur akomodohen majë Olimpit kërkojnë dëgjueshmëri absolute, kërkojnë që njerëzve t’u prijë, jo truri po palca kurrizore; kërkojnë qenie të manipulueshme; kërkojnë sende… Insistojnë me domosdo instalimin e trurit monolit, instalimin e diktaturës.
Nga të gjitha pamjet që mund të ketë njeriu lejojnë vetëm njërën: atë të majmunit. Prej katandisjeve më së shumti preferojnë përuljen. Ata e dijnë se njeriu nuk mundet pa Zotin e tij, se s’ka si e dëshmon ekzistencën e vet… “Shoqëria që s’është në gjendje të krijojë zota të ri vdes”, thotë Bergjaevi. Vetëm të urtit e gjejnë atë n’vetvete, duke humbur kësisoj besimin dhe simpatinë e Budës.

Privilegji është ideali i vetëm i kabiles së tyre, që plaket veç nga avanset e makrove të tjerë konkurentë, të cilët, presin t’i zhveshë PËR TA (!?) Prometeu, që, për gurë të njëjtë varresh, kurrë nuk do e rrezikonte mëlçinë…
Patriotët me profesion janë Nasradinë ordinerë. Atyre, hiq pa i kruajtur (kruajtja qe mekanizmi me të cilin Noli zbulonte bijtë e Kainit) mund t’ua njohish surratin e vërtetë. Mu për këtë nuk durojnë t’u preket pudra.
Ata që duan t’studiojnë hollësitë e artit të makiazheve të tyre, mund t’i shkelë “rimorkio me rërë” i traktorit të Tekiut…, apo edhe më zi: mund të mbeten pa varr, si Skëndërbeu, Bogdani, Fishta…, sepse filozofia jetësore e pseudopatriotëve ka në qendër thënien e Avrelij Avgustinit: “Të mundurit kurseji, krenarët zhbëji!”
Patriotët e rremë, si çdo gërdi tjetër, janë stemë e gjithkohshme. Ata nuk mposhten kollaj, sepse janë larë në ujërat e nëntokës… Ata janë dhe do mbeten bosë prapaskenash të epokave zgjebarake, ku në vend të Perëndisë, hajvanët e samarit i bien në sexhde Iblisit… Mjeti i vetëm që i bën të parrezikshëm është mungesa e pushtetit. Ndaj të tillëve askush nuk ju jep pushtet.

Shkëputur nga libri “GJAHU I QORRAVE” (1998)

Lajme të ngjashme

Back to top button