Edi Rama, lider i rajonit?!

Një nga lajmet “më të bujshme” këta ditë duket të jetë vizita e Angela Merkel në Tiranë më datë 8 korrik.
 
Sigurisht që lajmi është shumë i rëndësishëm, edhe për shkak se raportet dypalëshe ndërshtetërore janë i një rëndësie po ashtu të madhe.
 
Ajo që të bie në sy është fakti se lajmi u transmetua me një pompozitet, sidomos nga mediat pro-qeveritare, me tituj të tillë si “Merkel zyrtarizon Ramën si lider të ri të rajonit” apo të ngjashme.
 
Gjithashtu, edhe ngritja në qiell e Shqipërisë në raport me shtetet e tjera të Ballkanit, sikur vendi ynë është shteti “kryesor” në rajon ngjan paksa e tepruar.
 
Është e vërtetë që Rama ka cilësi larg të zakonshmes, sidomos në raport me liderët shqiptarë përpara tij, por ekzagjërime të tilla janë më tepër se të tejkaluara.
 
Edi Rama, sa është parë dhe në takime të tjera, ka raporte të mira me Angela Merkel dhe sigurisht që ky fakt është me shumë rëndësi për vendin, sa i përket raportit gjeostrategjik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
 
Por, siç do të thoshte edhe Gabriel Partosh, njohës i çështjeve të Ballkanit, Merkel përveç se me Ramën, në këto momente ka raporte të mira dhe me Vuçiq.
 
Merkel, madje menjëherë pas Tiranës do ta vizitojë edhe Beogradin.
Me siguri që edhe klasa politike e Serbisë do të bëhej e afërme me Merkelin, në rast se dëshmon se ka vullnet për tu përafruar parimeve që kërkon Europa, duke njohur Kosovën republikë, duke u distancuar nga modeli Milorad Dodik, lideri serb në Bosnje dhe duke pranuar krimet shtetërore të shtetit serb në të kaluarën.
Në këtë rrafsh, klasa jonë politike, sidomos qeveria e Ramës e ka një avantazh dhe ai është se kryeministri shqiptar ngjan të jetë më pranë parimeve të Merkel, sidomos në raport me politikanët në Beograd.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button