Agjërimi një rrugë e vjetër shpirtërore

 “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim si kurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (Bakara, 183)

Nga Qani Nesimi

Agjërimi është një urë shpirtërore që e lidhë krijesën me Krijuesin, gjegjësisht njeriun me Zotin. Kjo lidhshmëri e këtij lloji nuk është e re, por, ajo daton që me krijimin e njeriut të parë dhe ka vazhduar në mënyrë permanente edhe te popujt e më vonshëm, gjë të cilën e vërteton edhe dërgimi i një numri të madh të pejgamberëve nga ana e All-llahu xh.sh.. Poashtu, kur kemi parasysh se agjërimi është çështje primare që zë vend në pesë kushtet themelore të Islamit dhe, gjithashtu, se është çështje thelbësore e feve tjera në përgjithësi, qofshin ato të shpallura, nacionale apo primitive, atëherë këtë e kuptojmë edhe si argument të fortë për të vërtetuar ekzistimin e agjërimit edhe te popujt e mëparshëm para Islamit. Ndërsa një gjë të tillë e vërteton edhe vetë Kur’ani Kerimi: “…agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishtë obligim edhe i atyre që ishin para jush…”. (Bakara, 183). Kështu që këtë e vërteton edhe ajeti tjetër kuranor I cili tregon për agjërimin e Musait a.s., ku ai para se të pranoj shpalljen obligohet nga ana e Zotit që të agjërojë tridhjetë netë e pastaj atë e plotëson edhe me dhjetë netë tjera: “Dhe ne i caktuam Musait tridhjetë netë (afatin për shpallje), dhe ato I plotësuam edhe me dhjetë dhe kështu u mbush afati për takim me Zotin e tij në katërdhjetë netë…” (A’raf, 142).

Në lidhje me ajetin e parë bëhet kështu një kometim: agjërimi u është bërë obligim, farz juve sikur që u është bërë pejgamberëve dhe ummeteve para jush. Mos mendoni se agjërimi është një vështirësi vetëm për ju, por ai është një ligj hyjnorë që praktikohet shumë më herët. Njerëzit për edukimin e tyre kanë shumë nevojë për agjërim dhe në momentin e praktikimit të tij kanë dobi të panumërta.

Ndërkaq në lidhje me ajetin e dytë bëhen disa shpjegime se, Musai duke qenë ende në Egjipt popullit të vet (Bijve të Izraelit) i ka premtuar se kur All-llahu do ta shkatërroj armikun e tyre (Faraonin), atyre nga ana e All-llahut do t’u dërgohet një libër sqarues, me të cilin nuk do të humbin dhe nuk do të devijojnë. Kur Faraoni u shkatërrua Musai kërkoi nga Zoti librin e premtuar. Zoti si fazë përgatitore për të pranuar shpalljen Musain e urdhëroi të agjëroj tridhjetë ditët/netët e muajt Dhul Kade. Ndërkaq Musai kur i mbushi tridhjetë ditë e prishi agjërimin, duke menduar se duke qenë agjërueshëm do t’i vijë era gojës së tij. Për këtë All-llahu i shpalli duke i thënë se aroma e gojës së agjëruesit për Mua është më e mirë se era e miskut. Dhe kështu Musain e urdhëroi që t’i shtojë edhe dhjetë ditë/netë të muajit Dhul Hixhe.

Kurse në lidhje me përdorimin e shprehjes “lejleten” në ajetin e lartpërmendur, komentatorët komentojnë se muaji fillon me natën dhe me llogaritjen dyzetë netë plotësohet ajo që porositet Musai të realizojë. Poashtu shpalljet janë realizuar natën, kurse suksesi i tërë është arritur rreth mëngjesit. Kështu që, në këtë rast sikur numri dyzetë, në brengën e Musait paraqet një natë të tërë, kurse shtimi edhe i dhjetë ditëve agjërim paraqet kohën e përfundimit të natës, ku gjatë asaj kohe Musai ka biseduar me All-llahun.

Përveç këtyre që i përmendëm më lartë si argument për ekzistimin e agjërimit është edhe agjërimi i pejgmaberëve të mëparshëm, si Nuhi a.s. ka agjëruar tërë vitin, Davudi a.s. ka agjëruar një ditë po e një ditë jo, Ibrahimi a.s. ka agjëruar tre ditët e para të çdo muaji, kurse Isai a.s. ka agjëruar dyzet ditë.

Kështu që, nëse do t’u hudhnim një shiqim feve të cilat sot ende ekzistojnë, po bile edhe feve për të cilat besohet se më nuk kanë gjurmë, do të shohim se adhurimi, gjegjësisht agjërimi, haset në pjesën më të madhe të tyre. Në Budizëm agjërimi zë një vend të rëndësishëm; kështu që sipas themelueit të Budizmit, Budhhas, nuk duhet as të lidhemi me botën e as ta braktisim atë. Metodë të vetme për të arritur qëllimin e shprehur më lartë Budhha zgjedh agjërimin një herë në çdo dy muaj dhe gjatë këtij agjërimi të bëhet tregimi/përkujtimi i mëkateve të bëra. Sipas tij, pengesë për arritjen e shpëtimit të përhershëm, gjegjësisht për arritjen në Nirvana, janë dëshirat/epshet. Ndërkaq shpëtimi mund të arrihet vetëm me braktisjen e dëshirave dhe kjo arrihet me anë të agjërimit.

Edhe në fetë induse në Azinë Jugore, agjërimi pranohet si një mjet rigoroz për edukim. Kështu që në Brahmanizëm është traditë agjërimi i ditës së 11 dhe 12 të muajve lokal të tyre. Kurse në Xhajnizëm agjërohet 40 ditë. Ndërkaq themeluesi i Xhajnizmit, Mahavira, për të torturuar dhe për të arritur në shkallët më të larta shpirtërore nuk ka ngrënë mish dhe vezë. Ai gjithmonë ka bërë dietë, kurse transmetohet se deri në vdekje ka agjëruar. Edhe në Hinduizëm agjërimi përdoret për të edukuar shpirtin. Agjërimi më tepër është si një lloj diete dhe realizohet në ditët e adhurimit, kurse në disa ditë agjërojnë vetëm gratë. Ndërkaq në Maniheizëm agjërimi bëhet për t’iu lutur diellit dhe hënës se ata dërgojnë dritë. Ndër tjerash agjërimin e hasim edhe te fetë europiane dhe amerikane. Kurse në Taoizëm agjërimi luan rolin e mbrojtjes prej fitnes dhe turbullirave në kohët kaotike.

Përveç kësaj agjërimi edhe më i theksuar është në fetë të cilat llogariten qiellore dhe të shpallura, gjegjësisht në fetë simpatizuesit e të cilave Kur’ani i quan Ehl-i Kitab, ku bëjnë pjesë: Sabiizmi, Hebraizmi, Krishterizmi. Kurse aspekti final i agjërimi gjendet në Islam.

Në traditën sabiite agjërimi, krahas që ka një vend të rëndësishëm, ai nuk është në formën e largimit prej ushqimeve dhe pijeve dhe prej marrëdhënieve seksuale. Por, sipas tyre agjërimi vlerësohet si largim prej mëkateve dhe të keqes. Kështu që në librin hyjnorë të sabiitëve, në Ginza, porositet mbajtja e agjërimit të madh. E ky agjërim realizohet në këtë formë: agjërim me sy, që nënkupton mosshikimin në të keqen dhe të ndaluarën, agjërim me veshë, që nënkupton mosndëgjimin e të ndaluarës, agjërim me gojë, që nënkupton mospërdorimin e rrenës, agjërim me zemër, që nënkupton largim prej mendimeve dhe qëllimeve të këqija, agjërim me dorë, që nënkupton mosbërjen e krimeve dhe mosvjedhjen, agjërim me gjunjë, që nënkupton mospërulje përpara djallit dhe agjërim me trup, që nënkupton largimin prej gruas me të cilën nuk je i martuar.

Përveç kësaj sabiitët i kohës së sodit, edhe pse në librat hyjnorë të tyre nuk gjenden, agjërojnë duke mos ngrënë mish në disa ditë të caktuara të vitit.

Agjërimi në Dhiatën e Vjetër (Tevrat) është prezent dhe urdhëron që të agjërohen disa ditë. Kurse agjërimi i obliguar në këto ditë është për ta thyer epshin, në disa raste tregohet se është për vuajtje dhe në disa raste bëhet për t’u afruar te Zoti. Gjithshtu në Dhiatën e Vjetër tregohet se Musai në Kodrën Sina ka qëndruar dyzet ditë dhe dyzet netë: „Kështu Moisiu mbeti aty me Zotin dyzet ditë dhe dyzet net; nuk hëngri bukë as piu ujë. Dhe Zoti shkroi mbi pllakat fjalët e beslidhjes, dhjetë urdhërimet“, (Eksodi 34/28). „Kështu Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal; dhe Moisiu mbeti në mal dyzet ditë dhe dyzet net“, (Eksodi 24/18). Poashtu në vende të ndryshme të Arabisë hebrenjtë agjërojnë duke mosngrënë asgjë pas jacije. Ata agjërojnë edhe si simbol i zemërimit për periudhën babilonase (syrgjynosja e tyre në Babil). Kurse agjërimi përdorej edhe për atë kur ndonjërit i ndodhte ndonjë problem apo kur ndonjëri dëshironte të bëhej magjistar. Kështu që, edhe pse me disa dallime, këto agjërime në Hebraizëm arrijnë në 25 ditë. Përveç këtyre ditëve ka edhe agjërime lokale të cilat realizohen për të përkujtuar brengat e tyre. Gjithashtu hebrenjtë kanë edhe ditë agjërimi ku nuk hahet mishi dhe nuk pihet alkooli. Sidomos agjërimi i dhëndërit në ditën e martesës ishte një gjë e zakonshme.

Nëse do të numëronim momentet me rëndësi historike për të cilat praktikohet agjërimi në Hebraizëm do të kishim veçuar: rrethimin e Jerusalemit, okupimin e Jerusalemit, shkatërrimin e Tempullit, vrasjen e mbretit Gedalja dhe 13 ditë Adar.

Vetëm se adhurimi më i madh është dita e agjërimit e quajtur Yom-Kippur, i cili fillon më 19 Prill. Fillimi i agjërimit është mosha dymbëdhjetë vjetë e një muaj. Ky agjërim fillon në mbrëmje dhe zgjatë deri të nesërmen në mbrëmje dhe kjo kohë arrinë deri në 25 orë.

Edhe pse jo aq i qartë, pasi që dallojnë qëndrimet e Kishës Ortodokse prej Kishës Katolike dhe prej asaj Protestante, agjërimi në Krishterizëm është urdhëri i tretë i Kishës. Në Krishterizëm agjërimi dhe dieta (perhizi) janë të njëjta dhe ajo bëhet për të torturua trupin në kohë të caktuar, për t’i thyer aspiratat epshore dhe për të përjetuar që në këtë botë dënimin e disa mëkateve të bëra. Mosha e përgjegjësisë për agjërim fillon në moshën 21 vjeçare dhe vazhdon deri në moshën 60 vjeçare. Kurse mosha e dietës është mosha 14 vjeçare. Edhe në Dhiatën e Re për agjërimin përmenden fjalë lavdëruese dhe gjithashtu i jepet një rëndësi e veçantë. Në Kishën Katolike, gjë të cilën nuk e përkrah Kisha Protestante, ka dy lloje agjërimesh: Euharist-agjërimi i falenderimit dhe Eklesiastik-agjërimi i kishës. Poashtu edhe i pagëzuari edhe pagëzori agjërojnë një apo dy ditë. Kisha Katolike dietën e urdhëron për dy arsye: 1. Për realizimin e Pendimit dhe 2. Për të praktikuar dyzet ditët të cilat i ka agjëruar Jezu Krishti (Isai a.s.) para se t’ia fillojë misionit të tij. Dieta e Madhe (Careme) te latinët zgjatë 6 javë kurse te grekët zgjatë 7 javë. Agjërimi dhe dieta në Krishterizëm në disa raste bëhen bashkë e në disa raste ndaras dhe gjatë atyre ditëve në të shumtën e rasteve nuk përdoret mishi, qumshti dhe gjalpa. Në shek III janë bërë diskutime të ashpra në përcaktimin e ditëve të agjërimit. Por përsëri nuk kanë mund të arrijnë në një përfundim se kur do të përfundoj agjërimi, me këndimin e gjelit, apo me zhdukjen e errësirës në mëngjes.

Ndërkaq në Kishën Ortodokse ka katër periudha agjërimi në vit:

Agjërimi i Madh (Lent), i cili fillon 7 javë para Pashkëve (Easter),

Agjërimi i apostujve, i cili fillon të Hënën 8 ditë pas Pentecost dhe përfundon më 28 Qershor,

Agjërimi në rast të marrjes së ndonjë posti, i cili zgjat dy javë, prej 1-14 Gusht, dhe

Agjërimi për Krishtlindje, i cili zgjat dyzet ditë, prej 15 Nëntorit e deri më 24 Dhjetor.

Përveç këtyre periudhave kryesore janë edhe agjërimi i çdo të Mërkure dhe të Premte, kurse në disa manastire agjërohet edhe dita e Hënë. Gjithashtu agjërohet dita e ekzaltimit të kryqit, dita e prerjes së kokës së Gjon Pagëzorit (Jahja s.a.) dhe agjërimi për hir të Epifaniusit. Gjatë këtyre ditëve nuk është i ndaluar vetëm mishi, por të ndaluara janë edhe peshku dhe të gjitha produktet e kafshëve në mesin e të cilave bëjnë pjesë edhe vera dhe yndyra.

E gjithë kjo që përmendëm më lartë, edhe pse në forma të devijuara dhe të deformuara, tregon për prezencën e agjërimit ne mesin e njerëzve që në fillim të historisë së njerëzimit. Kjo poashtu, sipas mendimit tim, tregon dy gjëra me rëndësi. E para, tregon se All-llahu xh.sh. në vazhdimësi, prej fillimit e deri më sot, njeriut ia ka mësuar rregullat e besimit, gjegjësisht, për rastin konkret, agjërimin. Kurse e dyta është se, njerëzit gjatë historisë janë munduar që ta shtrembërojnë besimin e vërtetë dhe si rezultat i së cilës është edhe ekzistimi i mënyrave të ndryshme të interpretimit të agjërimit. Vetëm se, një gjë është realitet i pamohueshëm, që njeriu asnjëherë nuk ka patur mundësi që agjërimin ta zëvendësojë me diç tjetër, por, gjithmonë është rrotulluar rreth tij.

Gjithashtu çështje me rëndësi është edhe ardhja e Pejgmaberit të fundit Muhamedit a.s. Edhe pse agjërimi i muajit të Ramazanit është bërë farz në vitin 624, apo në vitin e II hixhri, Muhamedi a.s. ka agjëruar edhe para se t’i obligohet ky agjërim dhe edhe sahabet i ka urdhëruar që të agjërojnë. Kështu që sipas transmetimeve Pejgamberi a.s. ka agjëruar ditën e dhjetë të muajit Muharrem, e cila ditë historikisht përkon me agjërimin e Nuhit a.s., i cili ka agjëruar për hir të Tufanit. Poashtu, Muhammedi a.s. ka agjëruar edhe tre ditë në fillim të çdo muaji, i cili përkon me agjërimin e Ibrahimit a.s.

Pra, si përfundim mund të themi se, edhe ajeti 183 i sures Bakara : “ agjërimi u është bërë obligim si kurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush,…”, por edhe vetë praktika e Pejgamberit a.s. tregojnë se Islami dhe rregullat e saja janë një vazhdimësi e shpalljes së All-llahut xh.sh.. Kurse assesi Islami nuk është një fe e re dhe se rregullat e saja nuk janë rregulla të reja të çpikura më vonë, por, vetëm se ata paraqesit aspektin e përsosur të tyre.

(Autori është Myfti i Myftinisë së Tetovës)

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button