Burg të përjetshëm për Arben Frrokun

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda aprovon kërkesën e Prokurorisë duke dhënë vendimin për burgim të përjetshëm ndaj Arben Frrokut.

Trupa gjykuese e drejtuar nga gjyqtarja Nertina Kosova me anëtarë Nure Preni, Albana Boksi, Dhimitër Lara dhe Amarildo Laçi deklaruan fajtor Arben Frrokun me vendim të formës së prerë, duke e shpallur fajtor nën akuzën e vrasjes për shkak të detyrës ndaj komisar Dritan Lamaj.

Me dhënien e këtij vendimi, Arben Frroku cilësohet person në kërkim. Ai aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë.

Nga ana e tij avokati i Frrokut, Genc Gjokutaj deklaroi se do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, ndërsa tha se vendimi është marrë nën presion.

Çështja në ngarkim të tij u apelua nga Prokuroria pasi Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, përkundër kërkesës së organit të akuzës i cili kërkoi burgim të përjetshëm.

Prokurorët argumentuan në apelimin e tyre se faktet nuk janë analizuar siç duhet nga trupi gjykues dhe sipas tyre është bërë interpretim i njëanshëm i provave të mbledhura gjatë periudhës së hetimit.

Më 3 prill Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm biznesmenin Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.

Në vendimin e gjykatës u tha se gjatë shqyrtimit të çështjes nuk janë vërtetuar akuzat e ngritura në ngarkim të tij.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana e saj kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Arben Frrokun, si i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në zonën e “Vasil Shantos” në kryeqytet, në 24 shkurt të vitit 2013.

Arben Frroku është vëllai i deputetit kristiandemokrat Mark Frroku i cili u arrestua pak kohë më parë si i akuzuar për vrasje në Belgjikë, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”./NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button