Gjendet një video e vrasjes së efektivit të RENEA-s, nga “grupi i zjarrit” prej 6 personash

Policia vazhdon të mbledhë prova materiale për të faktuar vrasjen e Ibrahim Bashës, efektivit të RENEA-s të vrarë në Lazarat më 24 qershor, ndërkohë që listës së të kërkuarve i mungon vetëm një person.

Një tjetër provë faktike dhe e pakundërshtueshme, se cilët ishin personat që qëlluan mbi Bashën, është ajo e pamjeve filmike të sekuestruara pasditen e së shtunës në fshat. Bëhet fjalë për xhirimin në momentin e vrasjes së efektivit të policisë, ku shihen qartë që drejt tij qëllojnë 6 persona, mes të cilëve edhe dy vëllezërit e arrestuar një natë më parë.

Pamjet filmike janë kryer nga një banesë në afërsi të vendit, nga ku u qëllua, dhe janë gjetur nga policia gjatë kontrolleve rutinë të banesave.

Të 6 tashmë ndodhen të arrestuar dhe do të akuzohen për vrasjen e policit. Personi i mbetur në kërkim është vetëm një bashkëpunëtor dhe, megjithatë, një pjesë e efektivëve të RENEA-s do të vazhdojë të jetë në Lazarat, deri në kapjen e tij, pavarësisht se nuk luajtur rol në vrasje.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditura se, pas kapjes së të gjithë të kërkuarve, tashmë armët e krimit mbeten të vetmet objektiva, për realizimin deri në fund të këtij operacioni.

Ka të dhëna, që dy vëllezërit i kanë treguar vendet se ku janë armët e krimit, ndaj RENEA po përpiqet t’i gjejë ato, për të bërë që dosja hetimore ndaj tyre të jetë e plotë.

Ndërkohë, 4 personat e tjerë të përfshirë në vrasje kanë pranuar përpara Policisë, faktin se kanë kryer qitje me armë në drejtim të automjetit të policisë në Lazarat. / Top Channel

 

Lajme të ngjashme

Back to top button