Lutja e vëllezërve Aliko: “Aman mos na vrisni, ju lutemi” (VIDEO)

Dy vëllezërit Aliko, para se të dilnin me duart lart para policisë kanë thirrur për disa minuta “aman mos na vrisni, ju lutemi, na premtoni se nuk do na prekni”. Arrestimi i tyre është bërë pas rreth katër orësh mbajtjeje nën rrethim të dy personave të dyshuar nga ana e forcave speciale RENEA.

Sipas burimeve të policisë, “Prej orës 16:00, rreth 500 forca policore kanë rrethuar në zonën e Kardhiqit dy personat e dyshuar. Vendqëndrimi i tyre është mësuar mbi bazën e informacioneve në rrugë operative. Dy vëllezërit Aliko po lëviznin në drejtim të grykës për në zonën e fshatrave të Cepos, por janë pikasur dhe Policia u ka bërë thirrje të dorëzohen”.

Prangosja e vëllezërve të kërkuar si të dyshuarit kryesor të grupit të armatosur në Lazarat, është bërë me ndihmën e babait të tyre. Babai i të arrestuarve Adil Aliko, ka shërbyer për kryerjen e negociatave dhe bindjen e të rinjve që të vetë- dorëzoheshin.

Gjatë negociatave, Adil Aliko u ka thënë djemve të tij të dorëzoheshin pasi “kishte folur me policinë dhe kishte marrë premtimin se dy të kërkuarit nuk do të vriteshin apo dhunoheshin”.

Rreth arrestimit

Helikopteri i Ushtrisë ka bërë transportin e forcave RENEA nga Kardhiqi, duke i dislokuar në të gjitha pikat gjeografike në raport me vendin ku fshiheshin të kërkuarit. Policia ka krijuar kështu një perimetër sigurie dhe ka bërë edhe rrethimin e zonës.

Forcat RENEA për dy orë me helikopter kanë krehur zonën e dyshuar ku fshiheshin të kërkuarit, ndërkohë që efektivë të tjerë specialë kanë ngushtuar perimetrin e sigurisë teksa kontrollonin dhe lëviznin në formën e një rrethi që mbyllet.

Ndërkohë mësohet se punonjësi i Policisë u ka premtuar dy të kërkuarve se nuk do të prekeshin, por duhej të dilnin nga vendi ku fshiheshin me duart lart pa bërë asnjë përpjekje për të sulmuar policinë dhe për t’u larguar.

Në momentin e arrestimit ata nuk kanë pasur armë zjarri me vete apo pranë tyre dhe për këtë arsye ka nisur kërkimi për armët. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button