OH Hilal me aksion humanitar në Dibër

Organizata Humanitare Hilal në kuadër të karvanit humanitar ndërmori aksion edhe në territorin e Myftinisë së Dibrës, ku në bashkëpunim me Myftiun Ramazan ef. Hasa dhe operativën e kësaj myftinie bënë shpërndarjen e 250 pakove ushqimore, për skamnorët e të gjitha kategorive dhe jetimët e këtij rajoni. Çdo pako përbëhet prej 22 kilogram produkte ushqimore me peshë të përgjithshme rreth 6 tonelata.
Niveli i papunësisë gjithmonë është më i madh në këtë rajon dhe kjo ka ndikuar që varfëria të jetë në një shkallë në rritje, prandaj OH Hilal gjithmonë ka qenë në krye të detyrës duke u angazhuar për të ndihmuar popullatën me kushte të vështira gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Sot ndamë 250 pako ushqimore për banorët e rajonit të Dibrës, të cilët kanë më së shumti nevojë për këto ndihma” tha Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti, i cili më tej shtoi se: “shpërndarjen e bëmë me ndihmën e operativës së Myftinisë së Dibrës dhe i falënderojmë për organizimin dhe përkushtimin. Ne jemi krenar që në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, po bëjmë vepra të mira dhe po përpiqemi që sadopak të zbutim gjendjen e familjeve që kanë nevojë”.
Nga ana tjetër, edhe Myftiu i Dibrës, Ramazan ef. Hasa shprehu kënaqësinë për shpërndarjen e suksesshme të këtyre ndihmave. “Falënderoj OH Hilal e cila gjithmonë ka treguar përkushtim dhe dedikim kur kanë qenë në pyetje nevojtarët, skamnorët dhe jetimët e rajonit të Dibrës”.

OH Hilal vazhdon me aksionet e planifikuara dhe madhështia e kësaj organizate është se çdo ditë po ndërmerret nga një aksion. Çdo ndihmë, e çdo paketë shkon në vendin e duhur. Mediumet e vendit janë dëshmitarë për këto aksione te cilat sjellin sado pak gëzim në sofrat e skamnorëve të të gjitha kategorive.
Sidoqoftë, OH Hilal ka premtuar se aksionet do të vazhdojnë edhe më tej nëpër qytetet e tjera, deri në arritjen e objektivit primar për këtë Ramazan, dhënien ndihmë për 10 mijë familje

Lajme të ngjashme

Back to top button