Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Ivo Sarakës në Dubrovnik të vitit 1746 (FOTO)

Lexo pjesën paraprake: Stema shqiptare në Stematografinë e Kristifor Zhefaroviqit të vitit 1741 (FOTO)

Në posedim privat te fisniku dubrovnikas Ivo Saraka ruhej një koleksion me ngjyra. Tani ky koleksion gjendet në Arkivin e Dubrovnikut. Arkivi e ka blerë prej familjes Saraka. Mendohet se koleksioni është i vitit 1746. Kështu mendojnë edhe Solovjevi[1] dhe Reshetari.[2]

Koleksioni nuk është lidhur vetëm, por midis dy dorëshkrimeve. Në të vërtetë fjala është për një libër mjaft të trashë të përbërë prej tri pjesësh: në pjesën e parë është statuti i qytetit Dubrovnik në dorëshkrim, respektivisht një kopje e tij e shkruar në gjuhën latine, në pjesën e tret gjithashtu një tekst dorëshkrimi në gjuhën latine. Midis këtyre dy dorëshkrimeve gjendet koleksioni i stemave me ngjyra. Në një fletë ka nga katër ose më shumë stema të vizatuara, e jo në secilën fletë nga një stemë, siç janë të gjitha koleksionet e tjera. Të tri pjesët e këtij libri e as koleksioni nuk i kanë të shënuara me numra faqet. Në arkivin e Dubrovnikut libri nuk është regjistruar ende dhe nuk ka numër regjistrimi, për shkak se arkivi e kish blerë asokohe.

Siç përmendëm, pas statutit të Republikës së Dubrovnikut radhiten dyzet stema të fisnikëve dubrovnikas dhe në fund në 37 fletë ka 153 stema territoriale e familjare të vizatuara pa rend, përkatësisht jo me atë radhë të caktuar siç ishte zakon te të gjitha koleksionet e tjera ilire që i kam pasur në dorë.

Ka mundësi që koleksioni të jetë punuar prej një personi që fshihet pas monogramit të madh R. M. R., që në dorëshkrim gjendet në dy vende. Sipas këtij monogrami e sipas një shënimi tjetër, profesori J. Gjelçiq konsideron se monogrami në tërësi është “Michael Pescish socius et consors congregationis prebyterorum Ragusa 1746”. [3] Pra, sipas Gjelçiqit koleksionin e ka punuar Miho Peshiq.

Në këtë koleksion me faqe tëë pashënuara  gjendet stema e Kastriotëve (fig. 16), pak ndryshe nga ngjyrat prej atyre stemave që i kemi parë deri tani. Mburoja edhe këtu ka formë varjaze me ngjyrë të verdhë. Emblema është shqiponjë e zezë dykrerëshe. Mbi krerët e shqiponjave janë dy kurora të vogla, e mbi to trekëndëshi i kaltër në të cilin ka yll gjashtëkëndësh.

Mbi mburojë është helmeta me drapri. Drapri është i verdhë dhe me ngjyrë të kuqe, e mbi të është kurora e verdhë. Nën stemë shkruan: “Castriotich”.

Figura 16 dhe 17. Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Ivo Sarakës në Dubrovnik të vitit 1746
Figura 16 dhe 17

Në këtë koleksion gjendet dhe stema e Dukagjinit (fig. 17). Kjo është shqiponjë e zezë në fushë të verdhë. Shqiponja është kthyer në të majtë. Mbi mburojën që ka formë trekëndëshe, gjendet një drapri me të verdhë e të kuqe. Nën të shkruan: “Ducaginovich”.

Të dy stemat janë me ngjyra. Ngjyrat nuk janë të pastra, por me nuanca derdhen në ngjyra të tjera të afërme, siç shihet në fotografitë e bashkangjitura.

Stema shqiptare në manastirin Petokovicë afër Shabacit e vitit 1825

Në manastirin Petkovica afër Shabacit ruhet një ikonë ku janë paraqitur afro 54 shenjtorë dhe shumë ngjarje të Dhiatës së vjetër dhe të re. Në mesin e ikonave gjendet një kryq i madh i zi. Rreth këtij kryqi gjenden gjashtë stema. Nga ana e majtë e kryqit janë stemat e Serbisë, e Rashkës dhe e Bosnjës, e nga ana e djathtë janë stemat e Bullgarisë, e Shqipërisë dhe e Hercegovinës. Rreth stemave, majtas e djathtas, janë rreshtuar fytyrat e 54 shenjtorëve. Nën kryq shkruan se ikona është punuar në vitin 1825 (fig. 18).

Stema shqiptare është mburojë e bardhë në formë spanjolle. Në mburojë është qyteti i bardhë-fortesë. Shihet se Stematografia e Zhefaroviqit ka bërë edhe këtu ndikimin e vet. Mbi shqiponjë gjendet kurora e madhe mbretërore, e rreth kurorës shiriti në të cilin shkruan: “АЛБАNIA”. Stema nuk është vizatuar mirë e po ashtu as stemat e tjera, kurse ikona është punuar me mjeshtëri. Rëndësi e madhe u është kushtuar ikonave jo stemave.

Figura 18. Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Ivo Sarakës në Dubrovnik të vitit 1746
Figura 18. Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Ivo Sarakës në Dubrovnik të vitit 1746


[1] Solovjev, Postanak, 79 dhe 105. Solovjev, Prinosi, 103.

[2] Resetar, Dubrovacka numizmatika I. Sremski Karlovci 1924, 567-8.

[3] Po aty.

Lajme të ngjashme

Back to top button