Komandanti Oriq ekstradohet në Sarajevë

Ish-gjenerali i Ushtrisë Boshnjake Naser Oriq mbërriti në kryeqytetin boshnjak pasi u ekstradua nga Zvicra, ku po mbahej në bazë të një urdhërarresti nga ana e Serbisë.

Pasi ai mbërriti në Sarajevë në orën 15:00 ditën e premte, ish-komandanti boshnjak Oriq iu dorëzua prokurorisë nga policia kufitare boshnjake, e cila do ta marrë atë në pyetje dhe të vendosë nëse do ta mbajë në paraburgim.

Arrestimi i Oriqit në Zvicër bazuar në një urdhërarrest nga Serbia më 10 qershor shkaktoi zemërim në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila kërcënoi se do të anulonte përkujtimoren e 20 vjetorit të masakrave të Srebrenicës.

Por vendimi i autoriteteve zvicerane për të ekstraduar atë në Bosnjë dhe jo në Serbi gjithashtu zemëroi liderët politikë në Beograd dhe Banjallukë.

Serbia e lëshoi urdhërarrestin për Oriqin vitin e kaluar dhe paraqiti një kërkesë zyrtare për ekstradim pas arrestimit të tij në Zvicër.

Por prokuroria boshnjake tha ditën e hënë se ajo ka gjithashtu një hetim të hapur për krime lufte për Oriqin dhe u kërkoi autoriteteve zvicerane ta ekstradonin atë në Bosnjë dhe Hercegovinë, sepse ai është shtetas boshnjak dhe krimet ndodhën në territorin boshnjak.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq e quajti “të sëmurë” vendimin zviceran për ta dërguar Oriqin në Sarajevë dhe tha se ai ishte i motivuar politikisht.

Presidenti i entitetit serb Republikës Serbe, Milorad Dodik, tha se ai ishte duke marrë parasysh thirrjen e një referendumi në lidhje me faktin nëse do të vazhdojë të punojë me gjykatën dhe prokurinë shtetërore boshnjake.

Ai i quajti gjithashtu masakrat e Srebrenicës “zhgënjimin më të madh të shekullit XX”.

Oriqi akuzohet nga Serbia për krime lufte kundër civilëve serbë të Bosnjës në vitin 1992 në fshatin Zalazje pranë Srebrenicës.

Krimet e pretenduara ndodhën para sulmit të vitit 1995 nga ana e Ushtrisë Serbe të Bosnjës në Srebrenicë, kur u vranë më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë në masakrat më vonë të përcaktuara si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.

Por Oriq u shpall i pafajshëm për krime lufte kundër serbëve në zonën e Srebrenicës nga ana e Gjykatës së Hagës në vitin 2008, kur gjykata vendosi se ai nuk kishte kontroll mbi Ushtrinë Boshnjake e cila kreu krimin.

Nedeljko Mitroviq, presidenti i organizatëës “Familjet e të Kapurve, Ushtarëve të Vrarë dhe Civilëve të Zhdukur të Republikës Serbe”, tha për BIRN-in se ai mendonte se ekstradimi në Bosnjë ishte një mashtrim.

“Ata nuk kanë për ta akuzuar. Kjo është thjesht sa për shfaqje,” tha ai.

Mitroviq gjithashtu tha se ai e mbështeste idenë e referendumit që kishte Dodik.

“Ata janë shumë të padrejtë ndaj viktimave serbe dhe mendoj se ne duhet t’u japim një ultimatum,” shtoi ai.

Por Munira Subasiq, presidentja e shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Enklavave të Zepës,” tha se ekstradimi i Oriqit në Sarajevë ishte i vetmi vendim i drejtë.

“Tani më në fund mund të përqendrohemi te përkujtimorja e gjenocidit të Srebrenicës,” tha ajo për BIRN-in.

Organizatorët kishin kërcënuar ta shtynin përkujtimoren e 11 korrikut nëse Oriqi nuk lirohej deri në fund të qershorit.

Lajme të ngjashme

Back to top button