“The Guardian” për Shqipërinë: Progres në luftën kundër korrupsionit

Gazeta “The Guardian” e Londrës, e njohur për ndikimin e madh të saj në Britani dhe në botë, në një shkrim për Shqipërinë ilustron përpjekjet e koalicionit qeverisës për të luftuar korrupsionin endemik në vend, si një nga sfidat më të mëdha të saj dhe një problem të madh për imazhin e vendit në botë.

“Në Shqipëri, korrupsioni ka qenë prej kohësh pjesë e jetës së përditshme. Njerëzit thonë se, kur kanë një të afërmin e tyre në spital duhet të kenë me vete para për të paguar mjekun, që të marrin një trajtim më të mirë. Ose, për të shkuar në zyrën e regjistrimit të pasurive, atyre u kërkohet të paguajnë një “taksë” ekstra për të përshpejtuar gjërat”, shkruan “The Guardian”.

Gazeta e përditshme britanike bën një pasqyrë të përpjekjeve të qeverisë “Rama” për të luftuar këtë fenomen, të cilin e cilëson si problemin e dytë më të madh të shqiptarëve, pas papunësisë.

“Kur mori detyrën në vitin 2013, kryeministri Edi Rama, ish-kryetar i Bashkisë Tiranë, i cili ndërmori inciativën për t’i ngjyrosur ndërtesat gri të periudhës komuniste të Tiranës, e bëri përparësi të tij luftën kundër korrupsionit, si dhe për të përmirësuar pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë”, shkruan gazeta prestigjioze.

“The Guardian” përmend se reformat e koalicionit të qendrës së majtë janë fokusuar në përmirësimin e sistemeve administrative, zbatimin me rigorozitet të ligjit, duke ua bërë më të lehtë njerëzve për të raportuar mbi korrupsionin.

Më tej, “The Guardian” rreshton një sërë masash antikorrupsion të qeverisë “Rama”, si hapjen e një portali në internet për të lejuar qytetarët anonimë të denoncojnë rastet e praktikave të paskrupullta të korrupsionit.

“Faqja e internetit mbulon 12 pika kryesore, duke përfshirë policinë, shëndetësinë dhe doganat. Që atëherë, 6840 raporte janë regjistruar. Shumë nga këto përfshijnë ankesa për shërbimin e dobët, 777 raste kanë të bëjnë direkt me akuzat për korrupsion dhe 35 prej tyre u janë referuar prokurorëve”, vijon shkrimi.

Sipas “The Guardian”, Rama këmbëngul se reputacioni i dobët ndërkombëtar i Shqipërisë është i bazuar në stereotipe të ekzagjeruara më shumë nga sa është e vërteta, por nga ana tjetër ai pranon se lufta kundër korrupsionit është çelësi për të ndryshuar perceptimet.

“Për të përmirësuar imazhin e një vendi, së pari duhet ndryshuar vetë vendi. Unë besoj se korrupsioni bëhet alternativë kur një qeveri nuk është në gjendje për t’u shërbyer qytetarëve të saj në mënyrë transparente dhe efikase. Pra, ne duhet të modernizohemi dhe modernizimi vjen përmes reformave”, citon gazeta kryeministrin.

Rama beson se qeveria e tij është duke ecur në drejtimin e duhur. “Çdo muaj, ne kemi planifikuar diçka të rëndësishme dhe në më pak se dy vjet, ne jemi patjetër aty ku unë kam shpresuar se do të ishim”, thotë ai.

Megjithatë, në shkrimin e “The Guardian” ato që mungojnë janë rezultatet dhe shifrat konkrete të ndëshkimeve në radhët e zyrtarëve të administratës apo politikanëve të çdo niveli, që mund të jenë të përfshirë në afera korruptive.

Lajme të ngjashme

Back to top button