USHT dhe Konsorciumi i Magna Chartës organizuan konferencë shkencore

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dy ditë radhazi, më 25-26 qershor 2015, i zhvilloi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare, me temë: “Autonomia universitare dhe vlera e saj për shoqërinë”. Kjo konferencë u organizua nga Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Konsorciumi i Magna Chartës, me seli në Bolonjë të Italisë.

Konferencën e shpalli të hapur Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, i cili tha se organizimi i konferencës rajonale, me temë: “Autonomia universitare dhe vlerat e saj për shoqërinë” paraqet një ngjarje të rëndësishme shkencore, akademike dhe komunitare, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për mbarë rajonin, pasi sipas tij, kjo konferencë jo vetëm që do të sjellë risi në aspektin shkencor dhe akademik, sa i përket të kuptuarit e procesit të Bolonjës, autonomisë universitare dhe lirisë akademike, por do të shpalosë ide dhe pikëpamje të ndërtimit dhe reformimit të universiteteve në shërbim të spektrit të gjerë shoqëror. “Organizimi i kësaj konference përkon edhe me disa zhvillime të rëndësishme arsimore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit dhe organizohet pikërisht në kohën kur qeveritë e vendeve tona po përpiqen të rikonfigurojnë modelin e arsimit të lartë në të mirë të shoqërisë, mirëpo, duke diktuar mbase një tempo tepër të shpejtë për vetë universitetet. Prandaj, konferenca e sotme, e cila ka mbledhur në gjirin e vet ekspertët më të mëdhenj universitarë nga vendi, rajoni, Evropa dhe SHBA-të, jo vetëm që do t’u shërbejë universiteteve në trasimin e rrugës akademike drejt një të ardhme të suksesshme, por mund t’u shërbejë edhe qeverive tona në kuptimin më së miri të çështjeve të arsimit të lartë, duke ofruar një perspektivë me traditë të madhe universitare, strumbullari i së cilës është autonomia universitare, liria akademike dhe impakti i tyre për spektrin e gjerë shoqëror”, theksoi Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, po ashtu tha se kjo konferencë organizohet për herë të parë në një shtet jashtë kufijve të Unionit Evropian. “Idejimi i kësaj konference është bërë para 2 vjetësh, fillimisht në ditëlindjen e 25-të të Magna Chartës, në Bolonjë, ku kemi diskutuar për këtë çështje me presidentin, Prof. dr. Sibold Norda, kurse në konferencën në Upsala të Suedisë, vitin e kaluar, pas mbledhjes së rregullt të Konsorciumit të Magna Chartës, mbajtja e konferencës së parë rajonale, për herë të parë jashtë Unionit Evropian u bë realitet, me ç’rast unë shfrytëzoj rastin, që në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, ta falënderoj thellësisht presidentin Norda dhe mbarë anëtarësinë e Konsorciumit të Magna Chartës për mbështetjen e dhënë. Përveç tjerash, organizimi i kësaj konference me rëndësi jetike për vendin tonë dhe rajonin, nuk kontribuon vetëm në kuptimin më të mirë të problemeve dhe sfidave të arsimit të lartë, me të cilat përballen shoqëritë tona, por do të ndikojë dukshëm edhe në ngritjen e vetëdijes dhe etikës së komunikimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit më të ngushtë ndërinstitucional në të ardhmen”, shtoi mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Me prezencën e tij konferencën e nderoi vet kryetari i Magna Charta Observatory, Sijblot Noorda. Sipas tij, universitetet, udhëheqësit shoqërorë, politikanët dhe ligjvënësit duke bashkëpunuar me njëri tjetrin kanë përgjegjësi përgatitjen e studentëve për rolet e tyre në të ardhmen, duke ua mundësuar atyre që të bëhen jo vetëm profesionistë në fushat e tyre, por gjithashtu edhe qytetarë të përgjegjshëm, të gatshëm të marrin përsipër detyrën e avancimit të shoqërive të tyre.  “Hapësirat ku veprojnë universitet janë esenciale për të ardhmen, dhe nëse këto hapësira nuk krijohen, mbrohen dhe ruhen, ata nuk mund të veprojnë dhe punojnë. Kur flasim për këtë, ne nuk flasim për diçka paradoksale apo kundërshtuese, ne flasim për një lloj marrëveshje shoqërore, e cila është e ardhmja e shoqërive tona, dhe se e kaluara na ka mësuar se kjo është një punë e mençur për ta bërë, dhe se e ardhmja jonë do të jetë e suksesshme”, tha Sijbolt Noorda.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Magna Charta Observatory, David Lock theksoi se Magna Charta Observatory po merr masa që të rrit kapacitetin e saj duke u bërë më globale, për më tepër aktivitetet e saj zhvillohen jashtë Evropës dhe bëhet  përpjekje më të mëdha për angazhimin e njerëzve prej jashtë Evropës në aktivitetet tona“. Ne do ta rritim kapacitetin e Observatorit duke bërë aktivitete më të mëdha, duke e rritur numrin e njerëzve që do të jenë në gjendje ta marrin përsipër këtë detyrë. Tani më kemi filluar me azhurnimin e ueb faqes sonë dhe të përfshijmë të dhëna që do t’u ndihmojmë rektorëve dhe të tjerëve në universitete, në të gjithë botën, dhe duke u bërë më globalë, do të tentojmë që të përfshijmë në të më shumë shembuj nga vende të ndryshme. Konferenca jonë vjetore për të parën herë vitin e kaluar u mbajt jashtë Bolonjës dhe ky është një trend që ne planifikojmë ta vazhdojmë në të ardhmen”, tha  David Lock.

Lajme të ngjashme

Back to top button