Një njësi zgjedhore në Maqedoni, mundësi për më shumë deputetë shqiptarë

Partitë e vogla politike në Maqedoni, konsiderojnë se modeli zgjedhor është ai që në vazhdimësi gjeneron krizë politike duke mundësuar partitë më të mëdha të sigurojnë pushtet absolut, andaj duhet ndryshuar, transmeton REL. Propozimi që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore nga gjashtë sa janë tani, ka hyrë dhe në procedurë parlamentare.

Deputeti Pavle Trajanov, një nga pesë deputetët të cilët kanë parashtruar kërkesën që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, konsideron se modeli aktual zgjedhor favorizon vetëm partitë më të mëdha.

“Konsideroj se organizimi i zgjedhjeve me një njësi zgjedhore është zgjidhja më demokratike, si e dyta do të kemi një reflektim real të vullnetit të qytetarëve të përfaqësuar në Parlamentin e Maqedonisë, e treta qeveria detyrohet të jetë më e përgjegjshme në veprimet e saj, me këtë edhe bartësit e funksioneve shtetërore”, thekson Trajanov.

Analistët politik shqiptarë konsiderojnë se me shndërrimin e Maqedonisë në një njësi zgjedhore krijohen mundësi edhe për rritjen e numrit të deputetëve shqiptarë, duke fuqizuar kështu dhe pozicionin e partive shqiptare gjatë formimit të qeverisë së re.

“Nëse shqiptarët përfaqësojnë një të tretën e popullatës në Maqedoni, atëherë është normale që 40 deputetë nga 120 aq sa numëron Parlamenti i Maqedonisë, të zgjidhen shqiptarë. Por, gjithçka varet edhe nga ajo se sa do të mobilizohen subjektet politike shqiptare që ta bindin elektoratin shqiptarë për të dalë në zgjedhje sepse kohën e fundit është evidente se është në rrije numri i atyre që nuk dalin fare për të votuar”.

“Pra, nëse partitë politike nuk arrijnë t’i motivojnë votuesit shqiptarë të dalin në zgjedhje, mund të bie dhe numri i deputetëve të zgjedhur”, vlerëson Albert Musliu nga Inciativa për Zhvillime Demokatike.

Ndërkaq Bashkim Selmani, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Shtetëror të Tetovës, konsideron se më me rëndësi është të ndryshohet forma e modelit zgjedhor nga listat e mbyllura në ato të hapura, sepse sipas tij, në këtë mënyrë rritet cilësia në aspektin profesional të të zgjedhurve të popullit dhe më e rëndësishmja, nënvizon ai, ky model do të rriste demokracinë e cila dukshëm mungon brenda partive politike.

“Më shumë se një dekadë zgjedhësit në Maqedoni diskriminohen, ata kanë qenë të detyruar të votojnë për partinë, por jo edhe individin, sepse përzgjedhjen e deputetëve të cilët do t’i përfaqësojnë e kanë bërë liderët e partive politike . Më duhet të theksoj se ky model duhet ndryshuar, sepse janë njerëzit ata të cilët mundësojnë të ndryshojnë gjërat, të ndryshojnë strukturën funksionale të pushtetit”, thekson Semani.

Ndryshe, gjatë vitit 2002, partitë politike në Maqedoni arritën konsensus për reformimin e sistemit zgjedhor.

Lajme të ngjashme

Back to top button