Bilall Kasami nga Nju Jorku: BESA është iniciativë e rinisë intelektuale shqiptare në Maqedoni

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në kuadër të qëndrimit në SHBA një javë më parë ka realizuar takime të rëndësishme me përfaqësues të shtetit amerikan, ndër të cilët edhe me ish kandidatin për President të SHBA-ve, senatorin Xhon Mekkejn.

Kasami po ashtu në Amerikë fillimisht i kishte dhënë një intervistë Zërit të Amerikës (VOA), kurse më pas edhe televizionit “Albanian Culture N.Y.”

Ai theksoi se, edhe përkundër situatës kritike në Maqedoni, vendosi të shkojë në SHBA, ku u ftua nga Lidhja e Diasporës Shqiptare për Maqedoninë me në krye Xhevat Sherifin për të marrë pjesë në 25-vjetorin e Ligës Shqiptaro-Amerikane të udhëhequr nga ish kongresmeni Xhozef Diogardi.

Duke komentuar rastin e Kumanovës, Kasami theksoi se ky rast ishte një inskenim i pushtetit për ta defokusuar opinionin nga “bombat”, që një kohë të gjatë i publikon opozita maqedonase LSDM. Sipas tij, ata që janë të përfshirë nga qeveria në krime e keqpërdorime të ndryshme, frikësohen nga përgjegjësia që do të pasojë.

“Lëvizja BESA është një iniciativë e rinisë intelektuale e shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa pjesa dominuese e Lëvizjes sonë janë të moshës së re, të cilët kanë përvojë në sektorin civil, janë të etabluar në profesionin e tyre dhe kanë një bekgraund shumë të fortë profesonial dhe etiko-moral. Duke pasur parasysh se pozita e shqiptarëve në Maqedoni u përkeqësua tejmase, ne e pamë të arsyeshme të kyçemi në politikë, edhe pse nuk kemi qenë shumë njerëz të politikës. Shqiptarët janë të papërfaqësuar politikisht, pasi BDI-ja dhe PDSH-ja janë të kapura nga pushteti qëmoti. Prandaj e pamë të patjetërsueshme ta nisim rrugëtimin politik. Para se të formohet Lëvizja BESA, kemi bërë konsultime të gjithanshme në Maqedoni me kokat e shqiptarëve të Maqedonisë, me akademikë, intelektualë, publicistë, politikanë dhe persona me ndikim nga të gjitha fushat”, theksoi Kasami.

Në pyetjen e gazetarit shqiptar nga Amerika se Lëvizja BESA në njëfarë forme akuzohet si lëvizje fetare që kryesisht ka të bëjnë me islamin, Kasami është përgjigjur: “Kjo është një ndër shpifjet që na bëhen nga pushtetarët shqiptarë në Qeveri, pra nga BDI-ja, duke pasur parasysh të kaluarën ideologjike të liderit të saj dhe lidershipit të kësaj partie, të cilët janë enverist dhe marksist-leninist të deklaruar, andaj atë që bënte dje Enver Hoxha sot e bëjnë këta. Kryesuesit e BDI-së në fushata parazgjedhore, kur e shohin se një ambient është më fetarë, ata shkojnë atje duke i përshëndetur me përshëndetje islame e me “selam”, duke u treguar ders, vetëm e vetëm që t’ua marrin votat. Sa i përket Lëvizjes BESA, ne assesi nuk duam ta instrumentalizojmë fenë… feja është krejtësisht diçka personale dhe individuale dhe nuk ka përse të instrumentalizohet për çkado qoftë.”

Kasami e komentoi në këtë intervistë edhe protestën gjithëshqiptare më 13 qershor në Shkup, duke thënë se ky marsh dëshmoi se BESA ka për qëllim unifikimin që duhet bërë me të gjitha forcat progresive në vend: parti politike, sektorin civil, intelektualë dhe të gjithë ata që duan të zgjidhet përfundimisht çështja shqiptare në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button