Reagime pse shqiptarët më të dobët në testimin ekstern?

Nota mesatare e testimit ekstern për këtë vit është më e ulët se ajo që ishte vitin e kaluar si dhe shkollat fillore dhe të mesme shqipe, sërish nuk hynë në dhjetëshen e shkollave me sukses më të lartë në këtë testim.

Nxënësit edhe këtë vit u ankuan për gabime të shumta në pyetjet e testimit ekstern si dhe dërguan fakte të tyre duke i fotografuar të njëjtat.

Arsimtari i shkollës fillore  “Istikball” në Tetovë, Imerja Ademi thotë për Portalb se edhe këtë vit testimi ishte skandaloz si dhe thotë se kjo ndikon në rezultatin e nxënësve.

“Testimi ekstern si gjithnjë ishte i stërmbushur me gabime si dhe mendoj se kishte ndryshuar gjithashtu edhe kriteriumi i pikëve, sepse rezultati ishte tejet i dobët. Nxënësit sërish u dëshpëruan dhe disave madje ju prish edhe suksese”, tha Ademi.

Gjithashtu edhe drejtori i gjimnazit së Strugës “Ibrahim Temo”, Xheladin Muça, thoyë se testimi ekstre është dëshmuar që është jofunksional.

“Disa herë e kam thënë se tani më është dëshmuar se testimi ekstern është jo funksional dhe më shumë na pengon sesa që na ndihmon. Pyetjet nuk ishin të parashtruara si duhet ndoshta edhe këtu qëndron problemi i rezultatit të dobët të nxënësve”, tha për Portalb, Muça.

Ai shtoi se kjo shkollë konsiderohet si një shkollë që mban kriterium, si dhe rangimi i shkollave në bazë të suksesit të testimit ekstern, nuk është real.

“Ne kemi pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha dhe testimi duhet të largohet. Sa i përket rangimit të shkollave në bazë të suksesit në këtë testim, unë nuk e zë të drejtë dhe real sepse ka pasur manipulime nga më të ndryshmet, si dhe ne njihemi si një shkollë që mbajmë kriterium dhe kemi profesor shumë të mirë”, shtoi Muça.

Drejtori i shkollës fillore “Liria” në Shkup, Talat Sadiku thotë se gabimet mund të jenë shkaku që nxënësit morën rezultate të dobëta në testim, mirëpo këtu hyn edhe mos angazhimi i prindërve për fëmijët e tyre.

“Mund të thuhet se gabimet ndikuan në rezultatin e dobët të nxënësve e sidomos atyre shqiptarë, mirëpo gjithashtu faj kanë prindërit që kërkojnë në fund të përmirësohen notat. Siç duket prindërit më të interesuar janë për notën që figuron në dëftesë sesa për dijeninë dhe sjelljen që ka fëmija”, tha për Portalb, Sadiku.

Ai shtoi se gjithashtu mësimdhënësit duhet t’i kushtojnë rëndësi zhvillimit të orës si dhe të mos tolerohet intervenimi nëse duam që të jemi një shkollë e suksesshme.

“Rangimi në bazë të testimit nuk është real dhe nuk do të thotë se në të vërtetë ato janë shkollat më të mirë. Mirëpo mësimdhënësit duhet të tregojnë më shumë kujdes dhe rëndësi zhvillimit të orës së mësimit si dhe të mos tolerohen më intervenime për përmirësimin e notave, si nga ana e prindërve si nga kolegët e tyre”, shtoi Sadiku.

Ndërkaq pas përpunimit të të gjithë testeve nga të gjitha lëndët dhe vitet e arsimit, është konstatuar nota mesatare e arritjeve të nxënësve prej 3.26 (vitin e kaluar ishte 3,60) ./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button