Përcillet në banesën e fundit polici i vrarë Ibrahim Basha

Përcillet sot për në banesën e fundit efektivi i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha, i cili humbi jetën dje në krye të detyrës në Lazarat. Efektivi i RENEA-s, që u qëllua për vdekje gjatë aksionit në fshatin e Gjirokastrës, u shpall “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa Presidenti Bujar Nishani, e nderoi me Dekoratën e Artë të Shqiponjës.

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit u përcoll me namazin e xhenazes (ritual islam) në Xhaminë e Et’hem Beut, në kryeqytet. Besimtarët e shumtë myslimanë, miq, familjarë dhe kolegë të tij të forcave speciale, ndoqën me lot në sy lutjet e përfaqësuesit të Komunitetit Mysliman, Ylli Gurra. Homazhet mbahen në Pallatin e Brigadave, ndërsa trupi i pajetë i Ibrahim Bashës do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Homazhet për policin e vrarë Ibrahim Basha janë mbajtur në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, mbeti i vrarë në detyrë dje në Lazarat gjatë aksionit të policisë. Efektivë të RENEA-s, të ushtrisë dhe të policisë marrin pjesë në homazhet për kolegun e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button