Në Gostivar po mbahet Kolonia Artistike “Gostivari 2015”

Me një ceremoni solemne të mbajtur në mjediset e Restorantit “Panorama”, është shënuar fillimi i Kolonisë Artistike “Gostivari 2015”, eveniment ky jubilar dhe tradicional i cili po realizohet për të dhjetin vit me radhë.

I pranishëm në hapjen zyrtare të manifestimit, ishte edhe shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Bashkim Hasani i cili në emër të kryetarit Nevzat Bejta artistëve të pranishëm u dëshiroi çaste të mira në qytetin mikpritës të Gostivarit, duke i siguruar ata se mbështetja nga ana e Komunës së Gostivarit për aktivitetet kulturore, e sidomos të kësaj kolonie, do të jetë gjithnjë më e madhe.

“Sukseset e kolonisë artistike të Gostivarit, gjithnjë shënojnë rritje, e sidomos në dy vitet e fundit kur mbështetja nga ana e Komunës ka qenë më e madhe. Mbajtja e kësaj kolonie në këto dy vite është ndërlidhur edhe me 29 qershorin, Ditën e Komunës, kur punimet që ju krijoni vizitohen nga një numër më i madh i artdashësve gostivaras dhe mysafirëve tanë. Përgëzoj Shoqatën “Draudacum” për punën e shkëlqyer që po bën dhe uroj që kjo koloni artistike të festojë edhe shumë jubile tjera”, tha në fjalën e tij përshëndetëse z.Hasani.

Kryetari i Shoqatës së Artistëve Figurativ “Draudacum”, Reshat Ameti shfrytëzoi nga rasti që të shpreh mirënjohje për drejtuesit e Komunës së Gostivarit dhe Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij evenimenti.
“Gjatë dhjetë viteve të kaluara në Gostivar kanë gravituar një numër i madh artistësh pothuajse nga e gjithë bota. Artistë të njohur, artistë te rinj, artistë miq të qytetit të Gostivarit. Karakteristikë e kësaj kolonie jubilare është se kemi një numër më të madh artistësh, gjithsej40 artistë, edhe atë nga Italia, Franca, Sllovenia, Kroacia, Mongolia, Egjipti, Turqia, Rumunia dhe shumë vende tjera nga rajoni. Ata për një jave rresht do të njihen me qytetin e Gostivarit, kulturën dhe traditën e kësaj popullate, të cilën do ta përcjellin në pëlhurë, secili në mënyrën e vet”, tha mes tjerash Ameti.

Të pranishmit i përshëndeti edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e kulturës, Behixhudin Shehapi i cili qytetin e Gostivarit e cilësoi si bosht të ngjarjeve kulturore. Shehapi shprehu konsiderata të larta për drejtuesit e Komunës së Gostivarit për mbështetjen e pa rezervë të projekteve dhe iniciativave kulturore në qytetin e Gostivarit.

Në kuadër të kësaj kolonie, janë të parapara dy ekspozita, ditën e premte me 26 Qershor, në Galerinë “Kult” bëhet hapja e ekspozitës së Saimir Ahmetit, fotograf nga Shqipëria, si dhe ditën e diel më 28 Qershor, në Pallatin e Kulturës do të bëhet hapja e ekspozitës me veprat të cilat do të bëhen gjatë kësaj koloni. Mbyllja do të bëhet me një program të begatshëm me rastin e ceremonisë të Ditës së Komunës.

Lajme të ngjashme

Back to top button