Obama: SHBA nuk po e përgjon më Francën!

Presidenti Barak Obama, siguroi homologun Fransua Holond, se Shtetet e Bashkuara nuk po e përgjojnë më Francën, pas zbulimeve të bëra gjatë ditës nga Wikileaks se Agjencia Kombëtare e Sigurisë kishte monitoruar komunikimet e tre presidentëve të fundit francez, Zhak Shirak, Nikola Sarkozi dhe vetë Holond.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Obama ka folur në telefon me Holond në lidhje me këtë ngjarje, që shkaktoi jo pak reagime në Francë, ku është thërritur menjëherë ambasadori amerikan në Paris, për të dhënë shpjegime. Megjithatë, zyrtarë të shërbimeve informative franceze pritet të udhëtojnë gjatë javës në Uashington për më tepër shpjegime.

Por, është pikërisht fjala “më” në mesazhin e përcjellë nga Shtëpia e Bardhë që nuk hedh poshtë akuzat se presidentët francezë janë përgjuar, ndërsa kryeministri Manuel Vals ka lënë të kuptohet se marrëdhëniet historike mes dy vendeve do të vuajnë pasojat e këtij veprimi.

Në titullin “Espionnage Elize”, referuar pallatit presidencial francez, Wikileaks fillon botimin e dosjes me të dhëna në lidhje me përgjimet e krerëve më të lartë francezë në periudhën kohore 2006- 2012-ën.
Sipas Wikileaks, në përgjime përfshihen tre Presidentët, Ministra dhe Ambasadorë francezë në SHBA.

Në një nga dosjet e vitit 2012, Holond diskuton daljen e mundshme të Greqisë nga zona euro, ndërsa në një tjetër të vitit 2011, sipas dokumentacionit, Sarkozi ishte i vendosur për të rifilluar bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Palestinës, mundësisht pa përfshirjen e SHBA-ve në këtë proçes.

Gjithsesi është ende e paqartë nëse materiali vjen nga të dhënat e vjedhura nga ish-kontraktori i agjensisë së sigurimit Edward Snowden.

Të dhënat e fundit mbi përgjimet janë publikuar edhe nga mediat franceze dhe në disa faqe interneti.

Zhulian Asanzh, themelues i Wikileaks, deklaroi se populli francez ka të drejtë të dijë se qeveria e tij është subjekt i mbikëqyrjes armiqësore nga një aleat i supozuar, siç është SHBA.

Në vitin 2013, agensia e sigurisë kombëtare amerikane u akuzua se kishte spiunuar kancelaren gjermane, Angela Merkel, por pas disa vite hetimeshm, autoritetet gjermane pushuan çështjen për mungesë provash./Oranews/

Lajme të ngjashme

Back to top button