Dekani i USHT-së Fatmir Sulejmani laureat i Çmimi vjetor YJET E ARBËRIT

Sot, në sallën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës u bë përurimi i revistës kulturore MIRDITA. Në këtë përurim i pranishëm ishte edhe Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, dekanë, profesorë, studentë, si dhe shumë  personalitete të shquara të arsimit, shkencës, artit dhe të kulturës shqiptare.

Për revistën në fjalë, para të pranishmëve fjalë rasti mbajti Doc. dr. Salajdin Salihu. Ai tha, se “të botosh një revistë kulturore është punë mbinjerëzore. Ata që kanë provuar të formatojnë revista të këtij profili mund ta mirëkuptojnë këtë që themi. Por botimi i revistave kulturore është domosdoshmëri, veçanërisht në këtë kohë makutërie, kur fjala kulturë përmendet gjithnjë e më pak, kurse ata që kanë marrë përsipër të udhëheqin me punët publike po shkëputen gjithnjë e më shumë nga ky bazament mbi të cilin është formësuar kombi ynë”, theksoi Doc. dr. Salajdin Salihu.

Ndërsa, shkrimtari Bardhok Pulaj e falënderoi udhëheqësinë e Universitetit Shtetëror të Tetovës për mbështetjen që u ka dhënë atyre për përurimin e kësaj reviste. “Për mua personalisht është një ditë e veçantë sepse unë kam qenë në Maqedoni por është hera e parë që vij në Tetovë. Kur e shoh Universitetin Shtetëror të Tetovës vlerësoj çdo njeri që ka vënë një gurë në këtë tempull të dijes dhe të shqiptarizmës. Tetova për mua, në konceptin tim, por edhe të shumë shqiptarëve është kthyer në një simbol të shqiptarizmës në Maqedoni. Ky universitet jam shumë i bindur se e ka bërë atë që nuk e ka bërë asnjë institucion tjetër, qoftë për të pajis me dije studentët, por edhe për të ndryshuar rrënjësisht mendimin për dijen, për progresin dhe për zhvillimin e shoqërisë shqiptare”, deklaroi Bardhok Pulaj.

Kryetari i Shoqërisë Kulturore Artistike MIRDITA,  Pjetër Marku  theksoi se kjo revistë tanimë pas tre vitesh i ka kaluar të gjitha pritshmëritë dhe numëron mbi 230 bashkëpunëtorë. “Në këtë rrugë të nisur trevjeçare revista MIRDITA  i kaloi kufijtë e saj në gjithë vendin. Kërkesat për të bashkëpunuar me ne u rritën. Tani, nga 230 bashkëpunëtorët në shtatë numrat e botuar, shumë prej tyre janë edhe nga treva të tjera jashtë vendit dhe ju vetë në këtë revistë do ta gjeni këtë të vërtetë. Ndjehem mirë që revista jonë ka ardhur deri këtu. Ne u nisëm nga Tirana me mendimin më të thjeshtë që të rrisim njohjen tonë me miq e shokë edhe këtu në Tetovë, që të risim bashkëpunimin tonë kulturor”, tha Pjetër Marku, Kryetari i Shoqërisë Kulturore Artistike ,,MIRDITA”.

Po ashtu, revista kulturore MIRDITA për herë të parë ndau Çmimin vjetor ,,YJET E ARBËRIT”. Ky çmim iu nda Doc. dr. Fatmir Sulejmanit, për shkrimet e tija publicistike, studimore e krijuese. Çmimin vjetor YJET E ARBËRIT, Doc. dr. Fatmir Sulejmanit ia ndanë shkrimtari Bardhok Pulaj dhe Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Me këtë rast, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti i përgëzoi drejtuesit e kësaj reviste për kontributin e tyre që japin në afirmimin e vlerave kombëtare. “Në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës dëshiroj që mikut tim, dekanit të Fakultetit Filologjik, Doc. dr. Fatmir Sulejmanit t’i dëshiroj shumë suksese dhe të vazhdojë me shkrimet e tij edhe në të ardhmen. Po ashtu, edhe drejtuesve të revistës MIRDITA u dëshiroj suksese dhe t’u prijë e mbara, kudo që të veprojnë. ,,Ju duhet të vazhdoni me këtë rritëm sepse shqiptarët e këtyre trevave presin që Tirana dhe Prishtina krahun ende më fortë ta mbajnë në trevat tona, të na ndihmojnë, sepse kontributi i intelektualëve shqiptarë nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës është vlera edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës ku është sot dhe atë vlerë ju ende duhet ta përkrahni”, u shpreh mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Fituesi i Çmimit vjetor YJET E ARBËRIT, Doc. dr. Fatmir Sulejmani theksoi se ky çmim ia shton atij edhe më shumë përgjegjësitë në të ardhmen, që të vazhdojë me botimin e shkrimeve publicistike, studimore dhe krijuese.

Lajme të ngjashme

Back to top button