Mungojnë ministrat shqiptarë, deputetët s’kishin kujt t’ia drejtonin pyetjet

Mungesa e ministrave shqiptarë në seancat kushtuar pyetjeve të deputetëve i ka bërë “pasivë” deputetët shqiptarë, të cilët nuk dinë kujt t’ia drejtojnë pyetjet e tyre, sepse duket se nuk duan që pyetjet tua drejtojnë kryeministrit apo ministrave maqedonas.

Deputeti i PDSh-së, Gazmend Aliu, konstatoi mungesën e vazhdueshme të ministrave nga radhët e BDI-së në seancën e paraparë për pyetje deputetësh. Duke mos përfillur prezencën e ministrave nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe prezencën e vetë kryeministrit Gruevski për të parashtruar pyetje për çështje me interes të posaçëm për shqiptarët, Aliu ngriti shqetësimin për gjendjen në arsim, posaçërisht regjistrimin e nxënësve shqiptarë nëpër shkolla me mësim në gjuhën shqipe.

“Çfarë ka bërë ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, që këtyre nxënësve t’u mundësojë regjistrim nëpër shkolla, në gjuhën e tyre amtare. Ne e shohim se deri tani nuk ka bërë asgjë. Ai i lejon që nxënësit shqiptarë t’i mbushin paralelet maqedonase, ndërsa të rinjtë dhe të rejat, profesorë të diplomuar shqiptarë të ngelin pa punë, sepse nxënësit shqiptarë nuk munden të mësojnë në gjuhën e tyre amtare”- deklaroi deputeti i PDSh-së, Gazmend Aliu.

Por, megjithëse vazhdimisht justifikohet se nuk bën pyetje për shkak të mungesës së ministrave shqiptarë, PDSh nuk shfrytëzoi praninë e zëvendësministrit të Mbrojtjes për të pyetur rreth çështjeve të rëndësishme në sektorin që ai mbulon, e të tilla ka shumë.

Ndërkaq, deputeti i BDI-së, Ramiz Merko, i pakënaqur nga përgjigja me shkrim për pyetjen e parashtruar një muaj më parë, pyeti qeverinë se kur do të ndodhë decentralizimi i mirëfilltë i pushtetit qendror, pasi, sipas tij, pushteti qendror në vend që të transferojë kompetenca në nivel lokal, ai po themelon drejtori në nivel qendror dhe i zhvesh ministritë nga kompetencat, duke theksuar ministri që aktualisht po drejtohen nga ministra shqiptarë.

“E njëjta gjë është në Ministrinë e Ekonomisë, e cila është zhveshur nëpërmjet të turizmit, shoqatave aksionare, siç janë: ELEM dhe MEPSO; Ministria e Ekologjisë me menaxhimin e ujërave dhe kështu me radhë. Të gjitha inspektoratatet që janë nëpër ministri nëpërmjet Këshillit të Inspektorateve, dhe pikërisht për këtë dua të shtroj pyetje plotësuese, kur do të decentralizohet pushteti qendror”- tha deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.

Edhe për këtë pyetje, Merko do të marrë përgjigje me shkrim.

Në mungesë të pyetjeve të tjera nga deputetët shqiptarë, VMRO-promovoi projektet e saj.

Deputetët e VMRO-së pyesnin, ministrat e VMRO-së përgjigjeshin, duke numëruar sukses pas suksesi./rtvm

Lajme të ngjashme

Back to top button