Tregtarët kumanovarë të dëshpëruar: “Nuk ka atmosferë të Ramazanit”

Ardhja e muajit të shenjtë, nuk i gëzoi vetëm nevojtarët të cilët kishin shpresë se bashkëqytetarët do t’i ndihmojnë më shumë se rëndom. Muaji i agjërimit, para së gjithash shitësve të ushqimit iu dha shpresë se do t’u shtohet puna. Mirëpo tregtarët kumanovarë këtë herë ndihen të zhgënjyer.

“Nuk ka atmosferë të Ramazanit këtë vit. Nuk ka lëvizje të njerëzve. Para Ramazanit ka pasur më tepër shitje se sa tani.“- shprehet një tregtar për Portalb. Ai hamendet rreth shkakut të këtij problemi: a është gjendja ekonomike e popullsisë shkaku i gjithë kësaj apo ka diçka tjetër.

Tregu Kumanovë

“Siç e shihni dhe vetë është një numër i vogël i njerëzve që dalin në treg për të blerë. Zaten vetëm në fillim të muajit vërehet një numër më i madh i blerësve.”- thotë tregtari, duke sqaruar se gjendja ekonomike e popullatës reflektohet në treg sikur në pasqyrë. Ashtu që “njerëzit blejnë më shumë sapo i marrin pagat e tyre, ndërsa ditëve të fundit të muajit ato paga veçmë harxhohen. Me çka të blejnë?! … Ndoshta shkak tjetër i kësaj ‘rënie’ në shitje është edhe konkurrenca që po na bëjnë shitoret. Thuajse të gjitha, përfshirë edhe shitoret e vogla tashmë shesin të njëjtat produkte që shesim ne në treg.” –deklaroi ai.

Ndërkohë një tjetër shitës i tregut të gjelbër të Kumanovës foli për çmimet, si faktor e protagonist kryesor në punën që bëjnë, “Çmimet nuk janë të larta. Sidomos shitja e perimeve po bëhet me një çmim jo normal për këtë kohë, d.m.th. nën çmimin real.”

Pyetjes se çka shitet më shumë e çka më pak, ai iu përgjigj: “Më tepër, normalisht, shiten domatet, specat, patatet e qepët. Mesatarisht po konsumohen lakrat e trangujt, por jo dhe llojet tjera të sallatave. Kurse më pak shiten pemët, sepse tani janë më shtrenjtë. Tani vetëm pjeshkat shiten më shumë, sepse e kanë çmimin më të ulët në krahasim me llojet tjera të pemëve.” /Portalb.mk

Tregu Kumanovë

Lajme të ngjashme

Back to top button