Krasniqi: Momenti i fundit që të ndërpriten bisedimet me Serbinë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar lidhur me takimin e fundit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Krasniqi tha se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës t’i ndërpres sa më parë bisedimet dhe të arrihet një konsensus nacional në shkallë kombëtare, për të dhënë përgjigjen meritore se kur e si të vazhdoheshin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lexoni të plotë reagimin e Krasniqit:

Sipas medieve serbe, Vuçiq para syve të Evropës i paska thënë Isa Mustafës: “Mustafa, nuk ka asnjë shans të pranoj kërkesat tuaja. Nuk e japim Gazivodën”.

“Kështu paska fol Vuciqi në Bruksel, por ne ende nuk po e dimë se cila ka qenë përgjigja e Kryeministrit te Kosovës. Nëse e shikojmë faktin se zoti Mustafa ju iku gazetarëve në Bruksel, tregon se ai nuk ka qenë në gjendje që Vuciqit t’ia jep një përgjigje adekuate.

Është momenti i duhur që në sytë e në zemrën e Evropës, në Bruksel, Kryeministri i Kosovës dhe secili zyrtar i ngarkuar për bisedime, në secilin nivel te tyre, Serbisë se Vuciqit dhe kujtdo tjetër nga qeveria e Serbisë, që t’ju tregohet me argumente se:

Serbia jo vetëm që nuk ka prona në Kosovë, por është Kosova ajo që duhet ti kërkon pronat e saja në Serbi. Është Kosova ajo që duhet t’i kërkoj dëmet e luftës dhe te gjitha plaçkitjet tjera të bëra nga Serbia në Kosovë, plaçkitje që Serbia i ka bërë gjatë 87 viteve në Kosovë. Kur këtyre u shtohen humbjet e mëdha njerëzore te atyre viteve me këto te luftës se fundit, Serbia e Vuciqit është deri në fyt e zhytur në borxhe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve si komb. BE-ja duhet te obligoj shtetin serb që t’ia paguan dëmet e luftës Kosovës.

Vetëm në ketë mënyrë Serbia do të detyrohet t’i kryen obligimet e saja ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Kjo sjellje e qeveritarëve serbë, kjo pafytyrësi e tyre dhe mos gatishmëri për të ndjerë pendesë për gjenocidin e ushtruar nga qeveria serbe, pjesë e se cilës ishte Vuciqi, është e mjaftueshme që pala e Kosovës, mos të ulej në tavolinën e bisedimeve me kriminelet që tentojnë të kthehen në vendin e krimit, pa ua rreshtuar një serë kërkesash si kushtëzim për vazhdimin e bisedimeve në Bruksel.

Po a mund ta bëjnë ketë Isa Mustafa e Hashim Thaçi?! Assesi! Këta janë në pozitë të vështirë dhe të gjitha angazhimet institucionale i kanë orientuar për t’i mbrojtur interesat e tyre, nëse mundin.

Është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës t’i ndërpres sa më parë bisedimet dhe të arrihet një konsensus nacional në shkallë kombëtare, për të dhënë përgjigjen meritore se kur e si të vazhdoheshin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga ajo që po njoftojnë mediet serbe, në bisedimet e djeshme në Bruksel, kryeministrat tanë kanë pësuar debakël total.

Pyetja që shtrohet sot është: a janë në gjendje këta individ, që ta mbrojnë interesin e Kosovës dhe te qytetarëve tanë?

Përgjigja do të ishte: nuk janë në gjendje.

Ky inferioritet i qeveritarëve tanë në këto bisedime duhet të ndërpritet urgjentisht! Për ndryshe Republika Serbska po troken në dyert e Kosovës”. (sic) /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button