NSA përgjoi presidentët francezë, Uashingtoni nuk e mohon

Skandali i përgjimeve të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, NSA është rikthyer edhe njëherë tjetër në qendër të vëmendjes, pas publikimit të një sërë dokumentesh dhe raportesh teknike nga ana e “Wikileaks”.

Materialet në fjalë flasin për një përgjim nga ana e NSA-së të tre presidentëve të fundit francezë. “Wikileaks” i publikoi ato me një shënim nga themeluesi i saj, Julian Assange.

“Qytetarët francezë kanë të drejtë të vihen në dijeni se udhëheqësit e tyre janë subjekt i përgjimeve armiqësore nga një vend i supozuar aleat. Lexuesit francezë të presin publikimin e materialeve të tjera akoma më të rëndësishme në një të ardhme të afërt”, shkruan Assange.

Viktimë e përgjimit është Francois Hollande dhe dy paraardhësit e tij, Sarkozy dhe Shirak. Pas publikimit të këtyre materialeve, Hollande njoftoi një takim të këshillit të sigurisë për këtë të mërkurë.

Ndërkohë, NSA as mohoi dhe as pohoi materialet në fjalë. Zëdhënësi i saj, Ned Price tha se, “nuk ka ndërment të komentojë asnjë rast specifik përgjimi”.

“Në përgjithësi nuk ndërmarrim aktivitete përgjuese nëse nuk ka për qëllim sigurinë kombëtare. Kjo vlen si për qytetarë të zakonshëm, ashtu edhe për udhëheqës botërorë. Presidenti Hollande nuk është në shënjestrën tonë. Ne punojmë ngushtë me Francën, si një partnere e padiskutueshme e jona”, tha Price.

Deklarata interpretohet nga mediat amerikane si pohim i ekzistencës së përgjimeve në të shkuarën, përfshi këtu edhe presidentin Hollande.

Megjithatë, duket se këto publikime nuk kanë kapur në befasi francezët. Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe e Jashtme, Michelle Alliot-Marie tha për televizionet franceze se Parisi ishte në dijeni të aftësive të Uashingtonit për të përgjuar telefonatat e udhëheqësve.

Tashmë pritet reagimi francez në lidhje me këto përgjime. Viktimë e përgjimeve ka qenë edhe Gjermania, madje vetë kancelarja Angela Merkel.

Uashingtoni nuk mohoi se ka përgjuar Merkelin, por u kujdes të saktësojë se nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë në listën e përgjimeve celulari i saj personal.

Publikimi i përgjimeve në mediet gjermane shkaktoi reagimin e Merkel, që tha se “përgjimi mes aleatëve është mungesë besimi”. Por Berlini u përfshi vetë në vorbullën përgjuese pas publikimeve se Gjermania shfrytëzonte SHBA për të përgjuar Francën dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian në Bruksel./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button