Lazarat, qëllohet për vdekje efektivi i RENEA-s, plagosen dy të tjerë

Ajo që nuk ndodhi gjatë operacionit antidrogë të një viti më parë, fatkeqësisht ndodh tani. Një efektiv i forcave speciale RENEA ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë një përleshjeje me armë zjarri në Lazarat.

Gjithçka ka nisur gjatë natës, kur një grup personash të armatosur kanë qëlluar në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit me detyrë në Lazarat.

Për pasojë, policia lokale ka kërkuar ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe atyre RENEA. Si FNSH ashtu edhe RENEA kanë nisur herët në mëngjes një operacion për kapjen e personave që kanë qëlluar me armë.

Gjatë operacionit, në momentin që policia ka bllokuar makinën me disa persona të dyshuar si të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga dy banesa aty pranë. Të dhënat e para flasin për një kurth të grupit që kundërshtoi me armë policinë, që besohet se përbëhet nga 10-15 vetë, pasi breshëria ka zënë në befasi efektivët e RENEA-s.

Për pasojë ka humbur jetën efektivi, Ibrahim Basha, 31 vjeç, ish-pjesëtar i Batalionit Special të Ushtrisë me disa misione në Afganistan, i cili prej 6 muajsh ishte bërë pjesë e Forcave Speciale RENEA. Ndërkohë të plagosur kanë mbetur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën.

Drejt Lazaratit janë nisur forca të shumta policore, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe prokurori i Krimeve të Rënda, Adnand Xholi.

Uniformat blu kanë rrethuar zonë duke ngritur postblloqe të shumta në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të fshatit dhe duke kontrolluar imtësisht çdo lëvizje të dyshimtë, deri në gjetjen dhe kapjen e autorëve./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button