KOMPLIKIMI I THJESHTËSISË

Vepra skenike “Art” nga Yasmina Reza, e konsideruar si komedi, ndonëse është më shumë se sa kaq, fokusohet te marrëdhëniet ndërnjerëzore që komplikohen për shkakun e qasjeve të ndryshme të personazheve mbi botën, jetën, artin. Është tekst i thellë dhe me shumë shtresa kuptimore, i vënë në skenë mjeshtërisht nga regjisori Qëndrim Rijani, me interpretim mbresëlënës të aktorëve të njohur Petrit Neziri, Ardian Aziri dhe Arsim Fazlija; me muzikë të Nita Reçit dhe Sara Sinanit, që janë pjesë e shfaqjes; kostumografi simbolike të Edlira Qyshkut dhe skenografi funksionale të Petrit Bakallit.

Yasmina Reza (1959) është dramaturge, skenariste dhe romanciere franceze, me origjinë hebreje. Vepra “Art” (1994) është luajtur në mbi 30 gjuhë. Trajton disa tema, që gërshetohen brenda tërësisë së veprës. Flitet mbi qasjet e ndryshme të njerëzve mbi artin, të cilin e “lexojnë” të kushtëzuar nga kultura e tyre. Gjithashtu, paraqet thellim artistik mbi artin modern, pa munguar ironia për sa i përket të komunikuarit mbi këtë art. Ky komunikim krijon konfliktin në vepër, i cili shprehet qartazi nëpërmjet lojës aktoreske.

“Nëse unë jam unë, sepse jam unë; e ti je ti sepse je ti; unë jam unë e ti je ti. Megjithatë, nëse unë jam unë se ti je ti, kurse ti je ti sepse unë jam unë, atëherë unë nuk jam ai që jam dhe ti nuk je ai që je”, thotë personazhi Ivani, që është më shumë se sa lojë gjuhësore. Është thellim filozofik mbi ekzistencën njerëzore në botën që bëhet më e komplikuar pa qenë nevoja; ku raportet njerëzore tentohen që të krijohen jo duke u bazuar në pluralitetin e mendimeve dhe botëshikimeve, por duke u pretenduar, me çdo kusht, pranimi i një qasjeje kinse origjinale mbi artin, botën, jetën. Qasjet e ndryshme paraqiten nga personazhet si absolutisht të vërteta edhe pse nuk janë të sigurt në vërtetësinë e tyre.

Pra: “unë jam unë, sepse jam unë” – jam botë unikale subjektive; “ti je ti sepse je ti” – je tjetër botë unikale subjektive. Mund të afrohemi ose të largohemi. “Megjithatë, nëse unë jam unë se ti je ti, kurse ti je ti sepse unë jam unë, atëherë unë nuk jam ai që jam dhe ti nuk je ai që je…”. Kjo për shkakun se “tjetri jam unë” dhe “unë jam tjetri”. Si qenie njerëzore marrin e japim ndërmjet vete, kemi ngjashmëri, sikurse dhe dallime. Perceptimet tona për një vepër arti, për një dukuri jetësore, mund të jenë të ndryshme, sepse ne jemi të ndryshëm. E përbashkëta jonë është se “unë” e “ti” jemi qenie njerëzore. Vetëm kështu mund t’i thjeshtëzojmë gjërat, duke u nisur nga fakti se arti dhe jeta janë të shumëkuptimshme. Ashtu sikurse mund t’i komplikojmë gjërat, duke dashur t’i paraqesim vetëm ashtu sikurse ne i shohim, pa marrë në konsideratë botëshikimin e tjetrit.

Tjetër shtresë kuptimore është demontimi i mitit mbi artin modern, që për të qenë art, domosdoshmërish duhet të jetë i komplikuar dhe të mos thotë asgjë. Në fakt, kemi ironizim të kësaj qasjeje.

Studiuesit e veprës “Art” thonë se çështja kryesore që shtron në këtë vepër Yasmina Reza është pikërisht ajo me të cilën përballet mendimi perëndimor dhe kultura në përgjithësi. Me pak fjalë humbja e kuptimit se çka në të vërtetë është arti dhe ai që pretendohet të paraqitet si i këtillë.

Megjithatë, nuk mund ta reduktojmë këtë vepër artistike vetëm te raportet e shijimit të një vepre artistike. Duhet fokusuar edhe te konceptimi i jetës në përgjithësi, bile në suaza më të gjera. Pra te konceptimi i artit e jetës nën kushtëzimin e kodeve të një kulture apo qytetërimi të caktuar. Pra, përveç raporteve të njeriut që lidhen me artin, vepra na hap botëshikim të ri edhe për raportet ndërnjerëzore që ndërtohen apo cenohen të imponuara nga kode të ndryshme tradicionale, morale e psikologjike, përfshirë edhe shijen e një epoke të caktuar kohore.

Pikërisht kjo botë e komplikuar na vjen artistikisht nëpërmjet një koncepti të veçantë regjisorial dhe nëpërmjet një aktrimi shumë cilësor.

Një vepër kaq e veçantë dramaturgjike, sigurisht, mund të vijë edhe në forma të tjera, me këndvështrim tjetër, si veçanti e veprave të veçanta artistike. Zgjedhja regjisoriale e Qëndrim Rijanit është tejet cilësore dhe kreative. Regjisori i ri po dëshmohet cilësisht falë kreativitetit të tij, përfshirë edhe shfaqjen “Art” , e cila na mban në tension, na bën të qeshim, të mendojmë, të reflektojmë. Kjo falë edhe lojës mjeshtërore dhe ngulmuese të aktorëve. Si e tillë, kjo shfaqje, është projekt i suksesshëm i Teatrit të Tetovës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button