Komuna e Strugës: Shteti stimulon krimin!

Komuna e Strugës nëpërmjet një komunikate ankohet se pushteti qendror i VMRO-BDI-së janë munduar që ta pengojnë misionin e Komunës së Strugës për të sjellë ndryshimin dhe për të shndërruar Strugën në qytetin që e meriton të jetë.

Në vazhdim ju sjellim komunikatën e plotë të Komunës së Strugës

Të nderuar qytetarë të Strugës dhe më gjërë, të nderuara media,

Një sërë ngjarjesh kanë karakterizuar këto dy vite në qeverisjen e re me Komunën e Strugës.

Misionin tonë për të sjellë ndryshimin dhe për të shndërruar Strugën në qytetin që e meriton të jetë, fatkeqësisht pushteti qendror i VMRO-BDI-së në mënyra të ndryshme, tejet të ulëta dhe aspak njerëzore janë munduar që ta pengojnë këtë mision tonin, i gjithi për të mirën e Strugës dhe struganëve.

Ky pushtet, ka bërë obstruksione të panumërta për pengimin e projekteve tona. Fillimisht dhe në vazhdimësi, duke marrë para nga buxheti i Komunës tonë, të dedikuara për projekte në të mirë të Strugës dhe qytetarëve, për të vazhduar më tej me pengimin e paarsyetueshëm të projektit për menjanimin e objekteve të përkohëshme, të mbira vend e pavend, e të trashëguara nga ish-sistemi komunist, për të ardhur te kjo më e freskëta, pengimin e kthimit të plazheve publike qytetarëve.

Për të mos mjaftuar të gjitha këto që u përmendën më lartë, por edhe qindra mënyra tjera, tani kanë hyrë në fazën më ekstreme, atë të përdorimit të dhunës ndaj institucionit komunë dhe njerëzve që e përfaqësojnë atë.

Që në fillim të mandatit, Kryetari i komunës së Strugës, u kërcënua nga persona me dosje kriminale, rast i paraqitur në organet e MPB-së, por që mbeti në sirtaret e kompetentëve të këtij organi.

Para disa javëve, po të njëjtët persona, kërcënuan me jetë Sekretarin e Komunës së Strugës dhe atë në zyrën e këtij të fundit. Edhe ky rast gjithashtu është paraqitur në polici, por që në mënyrë shumë të dyshimtë, u la në harresë nga policia dhe organet e hetuesisë.

Nga kjo formë e veprimit apo më mirë të themi mosveprimit të këtyre organeve, personat në fjalë, kanë marrë zemër dhe guximin që herën e tretë të sulmojnë fizikisht dhe ta realizojnë kërcënimin e tyre të bërë më herët.

Kështu, mbrëmë rreth orës 19:30, njëri nga kërcënuesit, person me dosje voluminoze kriminale, i ka bërë pritë dhe ka sulmuar fizikisht, Sekretarin e Komunës së Strugës, me të vetmen arsye, pengimin e ushtrimit të detyrës zyrtare.

Të gjitha këto ngjarje, kanë ndodhur nga e vetmja arsye, ajo e mos dënimit dhe dhënies krahë të kriminelëve në mënyrë direkte nga shteti dhe institucionet e këtij pushteti të qelbur qëndror dhe gjyqësor.

Ky pushtet, në forma të ndryshme, stimulon lulëzimin e krimit në Strugë e më gjërë.

I bëjmë thirrje organeve kompetente, Policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Pushtetit Gjyqësor, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, që të reagojë dhe veprojë konform ligjeve të vendit, për zbardhjen e rastit në fjalë, por edhe rasteve tjera si kjo, në të kundërt çdo person zyrtar që përfaqëson Komunën e Strugës, do të detyrohet të vetëmbrohet në të njëjtën mënyrë siç vjen sulmi

Ftojmë miqtë tanë nga OSBE-ja dhe përfaqësitë tjera ndërkombëtare, që të bëjnë reagimin dhe shtypjen e nevojshme ndaj këtyre institucioneve, me qëllim që raste të tilla të parandalohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Në fund, rastet e tilla asesi nuk do të na pengojnë në vazhdimin e punëve dhe misionit që e kemi marrë përsipër, për të sjellur rregull në çdo aspekt të funksionimit të Komunës së Strugës. Këto raste na inkurajojnë që të vazhdojmë shërbimin tonë në të mirë të Strugës dhe Struganëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button