Fyle dhe Vigenin biseduan për Maqedoninë

Shefi i diplomacisë bullgare Kristijan Vigenin në një takim në Bruksel me eurokomisarin Shtefan Fyle e ka informuar për rrjedhën e negociatave midis Bullgarisë dhe Maqedonisë për marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe për pozitën e Sofjes në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE.

MPJ-ja bullgare sot kumtoi se në takim është shqyrtuar edhe iniciativa për bashkëpunim midis Komisionit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si mundësi për intensifikimin e reformave në rajon. Detaje për përmbajtjen e bisedimeve Vigenin-Fyle nuk kumtohen.

Gazeta bullgare “Trud”, megjithatë, në kontekst të bisedimeve Vigenin-Fyle shkruan se pozita e Sofjes lidhur me Maqedoninë mbetet e pandryshuar-Bullgaria nuk dakordohet që Shkupi të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në, derisa nuk nënshkruhet marrëveshje bilaterale për fqinjësi të mirë.

Gazeta thekson edhe se raundi i fundit i negociatave midis Bullgarisë dhe Maqedonisë për marrëveshjen janë mbajtur më 17 shtator dhe se është dakorduar që të dyja palët të punojnë në një zgjidhje të përbashkët të pranueshme në lidhje për çështjet kontestuese.

Komisioni Evropian më 16 tetor duhet ta shpallë raportin për përparimin e Maqedonisë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. KE-ja nga viti 2009 rekomandon që Maqedonia t’i fillojë negociatat për anëtarësim, por vendet anëtare nuk mund ta arrijnë konsensusin e nevojshëm për shkak të   kundërshtimit të Greqisë e cila e kushtëzon me zgjidhje paraprake të kontestit për emrin, ndërsa në periudhën e fundit edhe të Bullgarisë e cila kërkon të nënshkruhet marrëveshje bilaterale për fqinjësi të mirë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button