Opozita lëshon në mënyrë demonstrative mbledhjen Kryesisë së Kuvendit

Glauk Konjufca, anëtar i Kryesisë së Kuvendit, nga Lëvizja Vetëvendosje, u është drejtuar medieve, ku ka thënë se e kanë lëshuar mbledhjen në mënyrë demonstrative, sepse aty u hap diskutimi për ndryshimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, raporton lajmi.net.

Konjufca bëri të ditur se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte hapur temën e amendamentimit të Kushtetutës, duke i kërkuar kryesisë që kjo të diskutohet më 26 qershor në Kuvend.

Konjufca tha se qëllimi i mazhorancës, është që përmes kësaj gjykate, vendit t’i paksohet edhe më tej sovraniteti.

“Arsyeja e dytë, pse e lëshuam mbledhjen, është se kjo gjykatë do të jetë etnike”, tha Konjufca.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, ka thënë se askush nuk ka të drejtë që me ngritje dore të votoj për heqjen e sovranitetit të shtetit, edhe ashtu të brisht.

“Këtu bëhet fjalë për një sistem paralel. Madje edhe arkivat do të jenë të paprekura sot e 1000 vjet dhe do të vlejën vetëm për Specialen”, ka thënë Kadaj – Bujupi.

Ajo në mënyrë demonstrative edhe e ka grisur projektligjin për gjykatën Speciale.

Lajme të ngjashme

Back to top button