ANKOHU TE SHËN PJETRI

Unë nuk e di si e kam emrin e saktë. Nuk e di as mbiemrin. Në fakt unë e di, po s’është ky emër që ta njohin zyrtarisht. Këtu është Maqedoni, më thonë, ka ligje, ka rend, ka rregulla edhe për emrin tënd. Nuk mundesh ti ta shkruash emrin si do, por si thotë instanca. S’ka mundësi ti këtu ta vesh dëshirën mbi rregulla! Dhe, zyrtari ta shkruan si thotë “ligji, rendi e rregulli”, jo si e ke ti emrin, ose si ke dëshirë dhe të drejtë ta emërtosh fëmijën tënd legjitim, si në rastin tim. A jeton në Maqedoni? Ti, pastaj, e kruan kryet dhe gjithandej e dëgjon si grindet instanca që nuk e njeh emrin tënd origjinal, pushteti që s’i njeh shkronjat shqipe dhe të detyron t’i zëvendësosh me shkronja të azbukës cirilike e cila nuk e ka atë mundësi t’i shkruajë të gjithë emrat shqip. Se ti jeton në Maqedoni, apo jo? Këtu kështu e ke. Pikë. Mos të pëlqeftë, baju! Kështu emri të çoroditet. Po kujt i kërcet për ty?! E dëgjon vetëm si qesh me ironi nëpunësi brenda në zyrë, kur ti pret jashtë. Dhe, kaq.

Unë quhem Bardhyl, po azbuka zyrtare më ka bërë Бардуљ (Bardulj). Ti mund të thuash si të duash, mund të gjesh arsyetime të ndryshme pse ndodhin këto punë: jo ligji, jo rrethanat, jo kjo, jo ajo, po unë po të them se identiteti im ka mbetur varur, i pasaktë, i çoroditur, i gjymtuar. Ka mbetur përgjithmonë Бардуљ (Bardulj). Kështu do të përfundojë jeta ime: me emër të gjymtë, të plagosur. Me identitet të brejtur. Dhe, kjo më dhemb. Kjo më lëndon shumë. Po kush po të pyet se?

Kur më lindi djali i madh, shkova ta regjistroj te ofiqari.

“Si quhet fëmija”?

“Bardhyl”, i thashë, kurse ai:

“Si, si”?!

“Bardhyl”.

Pastaj ofiqari i përvesh pak mëngët para kompjuterit të vjetër: “Бардуљ” (Bardulj), thotë. Pastaj vjen mbiemri. “Si e pate mbiemrin”?

“Bardhi e kam, por pas luftës së dytë botërore na kanë regjistruar me mbiemrin Memedi, sipas emrit të stërgjyshit tim e gjysh i babait, i cili e ka pasur emrin Mehmet.

“Prit tash, Барзи а Барли (Barzi a Barlli)?

“Jo as Barzi, as Barlli, po Bardhi”!

“Po çfarë ishte Мемеди”?

“Mehmet e ka pasur emrin stërgjyshi im, të thashë. Po edhe atij ia kanë shkretuar, ia kanë gjymtuar emrin. Nga Mehmet e kanë bërë Memed!

“E ç’lidhje ka… m’u bë lëmsh krejt kjo! Çfarë po flet”?! më pyet ofiqari.

“Ka lidhje! Dua t’i sqarojmë punët”! i them. “Dua të ma shkruash emrin e mbiemrin shqip dhe drejt. Dua të jem ky që jam Bardhyl Bardhi”!

“Mirë, mirë, ma jep letrën e njoftimit”! më thotë ofiqari me ton pak të ngritur në të cilin ka edhe mospërfillje. Unë ia jap. E shikon, e ngre kokën, i dalin në shesh vetullat e zeza dhe i duket ironia në fytyrë. “Барзи, Барли, Мемеди” (Barzi, Barlli, Memedi)! Ja mbiemrin e paske Мемеди (Memedi)! Çfarë po të mundon ty bre?! Puna qenka pastër”! Pastaj më pyet: “Si e ke pagëzuar fëmijën”?

“Yll”?

“Ул (Ull)”?

“Jo Ull, po Yll”!

“Ил (Ill)”?

“As Ill”! Po si të thashë: Yll”!

“Jaaa, ti duhet ta dish se alfabeti cirilik njihet këtu”! më thotë ofiqari. “Mos më bën të qesh me Ил, Ул, Мемеди (Ill, Ull, Mehmeti). Tregomë shkurt si ta regjistrojmë fëmijën? Ил apo Ул, (Ill apo Ull) se mbiemrin e ke të shkruar në librat e gjendjes civile Мемеди (Memedi). Emrin po të them, emrin, jo mbiemrin!”

“Po mbiemri duhet të jetë Mehmeti”, i them.

“Mos më trego ti mua si duhet, po si shkruan këtu!” Pastaj ofiqari shkruan: emri – Ул, emri i babait – Бардуљ, mbiemri – Мемеди. Përfundimisht im bir Yll Bardhyl Bardhi del zyrtarisht Ул Бардуљ Мемеди! Dhe, ofiqari shton: “Prit jashtë. Pas pak do të të tregoj kur të vish ta marrësh certifikatën e lindjes që e kërkove”!

Dal, me një shije hidhëtie, i fyer dhe shikoj nga dera gjysmë e hapur e ofiqarit i cili pi kafe me një nëpunëse, kurse unë dal i mposhtur në përpjekjet e mia për ta rrumbullakuar e për ta mbrojtur identitetin tim.

“Do të ankohem te deputeti i zonës sonë”, i them me zë, “pse s’ma regjistron shqip djalin në gjendjen civile”.

“Ankohu te Shën Pjetri, si të duash”, ma ktheu ofiqari në një maqedonishte të çalë të fshatit nga i cili e kishte origjinën! Dhe, e dëgjova zërin e të qeshurave në zyrë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button