El Salvador, gratë ndryshojnë ngjyrën e flokëve (Video)

Ka mjaftuar përhapja e një thashethemi se bjondet apo flokëkuqet që nuk kanë mbrojten e gangsterëve do të vriten, dhe gratë e vajzat e reja në El Salvador kanë filluar masivisht t’i lyejnë flokët me ngjyrë të zezë.

Bandat famëkeqe në vendin e vogël nuk pranojnë të kenë nxjerrë ndonjë fjalë të tillë, por ndërkohë sallonet e bukurisë janë mbushur me femra që kërkojnë të errësojnë flokët.

Ky shtet i Amerikës Qendrore është prej kohësh nën darën e dhunës dhe frikës, – shkruajnë mediat britanike. El Salvadori, sipas tyre, sapo ka dalë nga një prej muajve më të dhunshëm të përjetuar ndonjëherë që prej fundit të luftës civile në vitin 1992.

Rreth 635 vrasje u raportuan gjatë muajit maj në shtetin që numëron 6 milionë banorë, dhe qershori duket i destinuar ta kapërcejë këtë shifër, sidomos pas gjakderdhjeve të fundjavës.

Claudia Castellanos, punonjëse e një salloni bukurie, tha për “Daily Mail” se bandat kishin sulmuar një grua, vetëm pse mbante veshje në ngjyrë të verdhë. Ajo gjithashtu tregon se si femrat janë pushtuar nga frika dhe po ndryshojnë ngjyrën e flokëve.

“Nuk mund të logjikosh me këta njerëz. Nuk të lënë të sqarohesh, janë të çmendur, të qëllojnë direkt”, është shprehur Castellanos.

Përkeqësimin e gjendjes së sigurisë, zyrtarë të policisë ia faturojnë dështimit të armëpushimit të vendosur mes grupeve të armatosura dhe qeverisë në vitin 2013, por kritikët e armëpushimit pretendojnë se ai u dha kohë bandave të forcoheshin e të pajiseshin me armë më të sofistikuara./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button