Presidenca jep gjashtëmijë euro subvencione pa vendime

Zyrtarisht janë evidentuar disa parregullsi dhe keqpërdorime në Presidencën e Kosovës, e cila drejtohet nga Atifete Jahjaga.

Si parregullsi janë shënuar në dosjet e tenderit “Furnizim me piktura”, “Furnizim me uniforma”, si dhe tek servisimi i automjeteve pa kontratë.

Planet për menaxhimin e kontratave nuk ishin të nënshkruara nga ana e operatorit ekonomik; dhe Urdhër-blerjet lëshohen pasi që fatura dhe malli është pranuar nga ana e Autoriteti Kontraktues (AK).

“E gjetura në dosjet e tenderit ‟Furnizim me piktura‟ dhe “Furnizim me uniforma‟ AK ka aplikuar procedurën e kuotimit të çmimeve e cila kërkon që Autoriteti Kontraktues të kuotoj gjithë sasinë e artikujve që dëshiron t’i furnizoj. Në dosjen e tenderit sasia e kërkuar ishte një, përkundër që ishte planifikuar dhe blerë sasi më e madhe”, kështu thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014, transmeton kp.

Gjithnjë sipas këtij raporti, kontrata në fjalë ishte nënshkruar për çmimin për njësi. Rreziku, sipas auditorit është se mos përmbushja e plotë e aspekteve formale gjatë procesit të prokurimit rritë rrezikun që edhe në anën përmbajtjesore gjatë realizimit të kontratave të ndodhin gabime të cilat kanë ndikim, si pranimi i mallrave të cilat nuk janë porositur dhe për të cilat nuk ka nevojë AK.

Anashkalimi i rregullave të prokurimit rritë rrezikun që operatorët ekonomik të mos kenë informata të sakta në lidhje me sasinë që kërkon t’i furnizoj AK dhe kjo të ndikojë në çmimin që ata e ofrojnë.

Ndërsa, e gjetur tjetër si shkelje është edhe mos formimi i komisionit siç parashihej me kontratë. Për servisimin e automjeteve, ZPK kishte kontratë kornizë nga 17.07.2012 për një periudhë 3 vjeçare. Në kontratë ishte specifikuar që në rastet kur pjesët e automjeteve nuk janë të parapara me kontratë, mund të furnizohen (rregullohen), por vetëm pas vlerësimit nga komisioni i cili do të emërohet për këtë qëllim.

“Gjatë testimit të dy pagesave në vlerë totale prej 9,189 euro, vërejtëm se një numër i artikujve të furnizuar në vlerë prej 2,569 euro, nuk kishin qenë të specifikuar në kontratë por që ishin faturuar me përshkrimin ‟diagnostifikim kompjuterik‟, por pa u formuar komisioni siç parashihet në kontratë”, thotë auditori.

Furnizimi me pjesë të automjeteve të cilat nuk ishin të kontraktuara dhe pa formuar komision siç parashihej me kontratë, rrit rrezikun që pjesët e automjeteve të ndërrohen edhe kur nuk është e nevojshme dhe çmimet e pjesëve të jenë mbi çmimet e tregut.

Ndër parregullsitë është vërejtur edhe monitorim jo i mirë i kompensimeve për punë jashtë orari.

“Në tri nga gjashtë pagesat e testuara të stafit për punë jashtë orarit konstatuam se kishte gabime në kalkulim. Në këto raste, kalkulimi nuk ishte bërë saktë sipas rregullores nr. 33/2012 për shtesat në pagë. Stafi ishte paguar më pak se shuma e cila i ka takuar. Pas këshillës së dhënë në memon e auditimit gabime të tilla nuk kishin ndodhur”, thuhet ndër të tjera në raport.

Monitorimi jo i du hur i pagesave për punë jashtë orarit rritë rrezikun që të ketë mbi pagesa ose nën pagesa për punët jashtë orarit si pasoje e një kalkulimi të gabuar.

“ZPK për vitin 2014 kishte shpenzuar 51,374 euro ose 73% të buxhetit të saj. Nga kjo kategori paguhet paga për bashkëshorten e ish-presidentit (24,132 euro). Ndërsa shuma tjetër prej 27,242 euro është dhënë për entitete publike”, thotë ZAP.

Në këtë raport për Presidencën, është evidentuar dhënia e subvencioneve pa vendime. Vlerësohet se për çdo pagesë të subvencionit apo transferit duhet të ketë bazë të qartë juridike, si ligj, rregullore ose vendim të institucionit përkatës që i mundëson ta bëjë një pagesë nga kjo kategori (rregulla financiare 01/2013, mbi shpenzimin e parasë publike).

“Në dy pagesa të subvencioneve në vlerë prej 6,000 euro, dy nuk kishte vendime. Ishte vetëm një shkresë e ZKA-së për ZKF-në, që të bëhet pagesa me arsyetimin që presidentja është pajtuar për të dhënë këtë subvencion”, thotë ZAP.

Ndryshe, si parregullsi dhe keqpërdorime në Presidencën e Kosovës, ishin evidentuar nga auditori edhe viteve më parë.

Lajme të ngjashme

Back to top button