Ambasada amerikane: Shqetësim blerja e votave, të bëhet certifikimi i zgjedhjeve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u bëri thirrje institucioneve të sigurojnë certifikimin tërësor të rezultateve të zgjedhjeve.
Në deklaratë ndahet i njëjti shqetësim me OSBE/ODIR mbi blerjen e votave, presionet mbi votuesit, dhe politizimin e institucioneve.
Deklarata e Ambasadës së SHBA
Shtetet e Bashkuara përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për ushtrimin paqësisht të së drejtës së tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet vendore më 21 qershor 2015.
Numërimi i votave vazhdon dhe iu bëjmë thirrje institucioneve demokratike të sigurojnë certifikimin e shpejtë dhe tërësor të rezultateve.
Votimi ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune. Ne i bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara zgjedhore dhe parregullsi të tjera.
Nxisim qeverinë dhe partitë politike të punojnë për t’i trajtuar këto gjetje dhe rekomandimet e tjera të ODIHR.