Raport i frikshëm: Bota është në prag të shuarjes masive

Sipas shkencëtarëve të njohur amerikanë, bota është në prag të zhdukjes së gjashtë masive të specieve.

Speciet po zhduken 114 herë më shpejt se më parë, paralajmërojnë shkencëtarët të cilët pretendojnë se njerëzit mund të jenë ndër speciet e para që do të zhduken.

Sipas shkencëtarëve nga universitetet Princeton, Stanford dhe Berkeley, kjo normë e zhdukjes së specieve nuk është parë që nga epoka e dinozaurëve rreth 66 milionë vjet më parë.

Paul Ehrlich nga Universiteti Stanford, që me zhdukjet merret që nga viti 1980, thotë se “nuk ka dyshim se po futemi në zhdukjen e gjashtë masive”, transmeton Telegrafi.

Raporti i shkencëtarëve të këtyre universiteteve ka hasur në kritika të shkencëtarëve tjerë që vlerësojnë se këta po i zmadhojnë gjërat. Por, ekipi nuk lëshon pe.

“Nëse lejojmë që kjo të vazhdojë, jetës do t’i duhen miliona vite që të shërohet, por soji jonë do të vdes – sipas të gjitha gjasave në një fazë të hershme. Ne po e këputim degën ku jemi ulur”, shton Gerardo Ceballos.

Që nga viti 1900, raporti thotë se mbi 400 specie të kurrizorëve janë zhdukur. Kjo humbje, në rrethana normale do të ndodhte në 10 mijë vite. E kjo, sipas raportit të publikuar në revistën “Science Advances”, ndodh për shkak të ndryshimit të klimës, ndotjes dhe shpyllëzimit.

Ekipi i shkencëtarëve thotë se “norma mesatare e humbjes së llojeve të kurrizorëve gjatë 100 viteve të fundit është 114 herë më e lartë seç do të duhej të ishte pa aktivitetin negativ njerëzor”.

Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës mbështet këto të dhëna alarmante dhe thekson se niveli i rrezikshmërisë ekziston tek 26 për qind e gjitarëve dhe 41 për të qind amfibëve. Ehrlich këto lloje i quan “të vdekurit e gjallë”.

Vitin e kaluar, Stuart Pimm – biolog dhe ekspert i zhdukjes nga Universiteti Duke – po ashtu paralajmëroi për zhdukjen e gjashtë masive. Por, ai tha se norma e zhdukjes është 1000 herë më e madhe, e jo 114 siç thuhet sot.

Autorët e raportit të ri po ashtu thonë se është e mundur për të shmangur një “shkatërrim dramatik të biodiversitetit” përmes konservimit intensiv, por se për këtë nevojitet një reagim sa më i shpejtë. /Telegrafi/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button