OH Hilal me aksion humanitar në Kumanovë

Organizata Humanitare Hilal në kuadër të karvanit humanitar ndërmori aksion edhe në territorin e Myftinisë së Kumanovës, ku në bashkëpunim me Myftiun Abedin ef. Imeri dhe operativën e kësaj myftinie bënë shpërndarjen e 300 pakove ushqimore, për skamnorët e të gjitha kategorive dhe jetimët e këtij rajoni. Çdo pako përbëhet prej 22 kilogram produkte ushqimore dhe pesha e përgjithshme i tejkalon mbi 6 tonelata.

Duke pasur parasysh se rajoni i Kumanovës dhe Likovës në të kaluarën por edhe para ca javëve kanë pësuar dëme shumë të mëdha, ndërsa niveli i papunësisë gjithmonë është më i madh, ka ndikuar që varfëria të jetë në një shkallë në rritje, prandaj OH Hilal gjithmonë ka qenë në krye të detyrës duke u angazhuar për të ndihmuar këtë popullatë të stërvuajtur.

“Sot ndamë 300 pako ushqimore për banorët e rajonit të Kumanovës dhe Likovës, të cilët kanë më së shumti nevojë për këto ndihma” tha Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti, i cili më tej shtoi se: “Kjo shpërndarje bëhet sip[as listave të cilat na i kanë sjellë këshillat e xhamive të cilët kanë vlerësuar se kush ka nevojë më të madhe për këto ndihma. Ne jemi krenar që në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, po bëjmë vepra të mira dhe po përpiqemi që sadopak të zbutim gjendjen e familjeve që kanë nevojë”.

Nga ana tjetër, edhe Myftiu i Kumanovës, Abedin ef. Imeri, shprehu kënaqësinë për shpërndarjen e suksesshme të këtyre ndihmave. “Falënderoj OH Hilal e cila gjithmonë ka treguar përkushtim dhe dedikim kur kanë qenë në pyetje nevojtarët, skamnorët dhe jetimët e rajonit të Kumanovës. OH Hilal është organizata që ka dhënë më së shumti dhe me plot bindje e them këtë fjalë, sepse puna e kësaj organizate po dëshmohet në praktikë. Madhështia e kësaj organizate është se çdo ditë po ndërmerret nga një aksion. Çdo ndihmë, e çdo paketë shkon në vendin e duhur. Ne jemi dëshmitarë të gjallë për këtë.”

OH Hilal ka premtuar se aksionet do të vazhdojnë edhe më tej nëpër qytetet e tjera, deri në arritjen e objektivit primar për këtë Ramazan, dhënien ndihmë për 10 mijë familje.

Lajme të ngjashme

Back to top button