Përfundon numërimi i votave në 16 bashki, ja fituesit

Kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane ( e majta) kanë arritur të fitojnë në 14 bashki, ku ka përfunduar procesi i numërimit, ndërsa aleanca e djathtë, APPD ka siguruar atë të Përmetit dhe Tropojës.
Në 4 vitet e ardhshme bashkia e Hasit, Skraparit, Pustecit, Delvinës, Roskovecit, Kolonjës, Himarës, Libohovës, Konispolit, Poliçanit, Peqinit, Belshit, Mirditës dhe Pukës do të drejtohen nga kryetarë të koalicionit të majtë.

Rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm u mbyll procesi i votimit në Bashkinë e Hasit, ku Adem Lala i koalicionit të majtë arriti të fitojë me 4884 vota ose 52.98%, ndërsa kandidati i APPD, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05%. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97% të votave.

Procesi i numërimi është mbyllur edhe në Skrapar, ku fitues ka rezultuar Nesim Spahiu, i cili mori 84.43%, ndërsa rivali i tij Hajredin Bakjasi 15.57% të votave.

Ndërkohë edhe në Delvinë përfundoi procesi i numërimit dhe Rigels Balili, kandidat i ASHE, tashmë është kryetari i ri i kësaj bashkie, pasi ka marrë 72.8% të votave, ndërsa kandidati i APPD, Dhurim Alinani ka marrë 27.2% të votave. Përfundon numërimi edhe në Roskovec: Majlinda Bufi e ASHE-së fitoi 52.39% të votave, Gëzim Çaushi i APPD-së, 47.61% të votave.Në Konispol, Shuaip Beqiri i ASHE-së ka marrë 43.93% të votave, ndërsa Ismail Murtaj i APPD-së, 35.83%.

Në Poliçan, Adriatik Zotkaj i ASHE-së ka fituar 4888 vota (72.45%), ndërsa Florian Qamaj i APPD-së ka marrë 1859 vota (27.55%).

Edhe Bashkia e Peqinit është fituar nga një kandidati i majtë, Saimir Hasalla, i cili arriti të merrte 9020 vota, ndërsa Albert Kreçi kandidati i APPD mori 4284 vota. Në Belsh, Arif Tafani i ASHE-së ka marrë 45.51% të votave, ndërsa Asqeri Kuqja i APPD-së, 38.45%.

Në Kolonjë, Arben Malo i ASHE-së ka marrë 4997 vota, ndërsa Viktor Duro, kandidat i APPD-së, 4076 vota. Luiza Mandi e ASHE-së ka arritur të marrë 53.65% të votave në Libohovë, duke mundur Altin Çomon e APPD-së me 46.35%.

Në Mirditë, Ndrec Dedaj i ASHE-së ka fituar me 55.37% të votave, ndaj 44.63% të votave të Gjergj Prengës së APPD-së.

Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrëzit dhe e Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë, Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm me 66.

Ndërsa në Përmet ka fituar kandidati i APPD-së, Niko Shupuli, me 58.58 për qind të votave kundrejt 38.53 për qind të kandidatit të majtë, Gilberto Jaçe. Edhe në Tropojë ka fituar kandidati i djathtë, Besnik Dushaj, i cili mori 51.94% të votave. (TCH)

Lajme të ngjashme

Back to top button