Basha: Rezultate të shkëlqyera për fitoren tonë, të ndalen incidentet

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka falenderuar anëtarët dhe simpatizantët e PD që ndihmuan, sipas tij, në nxjerrjen masive të votuesve të djathtë.

“Ishte një proces, në të cilin ndihma e tyre ka bërë të mundur parandalimin e parregullësive dhe shkeljes së standardeve, pavarësisht se ato gjatë pasdites kanë vijuar, pasi nisën që me hartën territoriale të dyshes Rama-Meta që nuk dëgjoi qytetarët, dhe që përfundoi me probleme ditën e votimit”, ka deklaruar Basha.

Pavarësisht këtyre, Basha ka theksuar se PD ka marrë informacione për “rezultate të shkëlqyera” për aleancën e djathtë nga mbarë vendi.

“Tani, rëndësi ka procesi i numërimit. I bëj thirrje kësaj qeverie që të mos përsërisë dhunimet dhe parregullësitë e vërejtura gjatë ditës në procesin e transportit të kutive dhe atë të numërimit. Gjithashtu, ftoj numëruesit e aleancës sonë të jenë në lartësinë e detyrës dhe të kryejnë detyrën sipas ligjit”, ka thënë Basha.

Kreu i PD ka kërkuar vëmendjen edhe të institucioneve ndërkombëtare, partnerëve SHBA e BE, “për rëndësinë që ka zbatimi i ligjit dhe detyrimet ligjore për leximin me transparencë të kutive të votimit”./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button