OH Hilal ndau mbi 7 tonelata ushqime në Gostivar

Organizata Humanitare Hilal, e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame, vazhdon me karvanin e saj humanitar. Këtë radhë, në bashkëpunim me Myftininë e BFI Gostivar, u shpërndanë 350 pako në mënyrë të organizuar. Kontingjenti i ndihmave kishte në përbërje ushqime dhe mjete tjera sanitare për skamnorët dhe jetimët e rajonit të Myftinisë së Gostivarit.

Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti bashkë me Myftiun e Gostivarit Shaqir ef. Fetahu, e udhëhoqën nga afër këtë aksion, në prani të mjeteve të informimit.

“Sot po e vazhdojmë karvanin tonë në Myftininë e Gostivarit dhe ashtu si[ paralajmëruam në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, ne si Organizatë Humanitare duam të depërtojmë në tryezën e çdo familje që ka nevojë, me qëllim që tua zbusim sado pak gjendjen e tyre. Këtë detyrë ia kemi dhenë vetes, para besimtarëve dhe para Reisul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili na jep një përkrahje të parezervë në aktivitetin tonë humanitar”. Ef. Dauti më tej shtoi se: “Janë organizuar aksione shumë dimensionale nëpër të gjitha myftinitë e vendit, nëpërmjet të cilave më pas do të bëhet shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë”.

Edhe Muftiu i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu, shprehu kënaqësinë për këtë aksion me të cilin u ndihmuan 350 familje skamnore nga rajoni i Myftinisë së Gostivarit.  Ai mes tjerash tha: “Në këtë ditë të bekuar të muajit të Ramazanit,kemi kënaqësi të veçantë që të gëzojmë zemrat e besimtarëve, respektivisht skamnorëve, me qëllim që edhe ata ti gëzojmë me ndihma që sa më lehtë ta kalojnë muajin e Ramazan Sherifit. Për këtë e falënderojmë Bashkësinë Fetare Islame e cila sot, nëpërmjet Shoqatës Humanitare Hilal ndau 350 pako me nga 22 kilogram ushqime, diku mbi 7 tonelata ushqime”.

Këto ndihma u ndanë nëpër këshillat e xhamive të Gostivarit, të cilat në Myftininë e Gostivarit kanë deponuar listat me familjet që kanë më tepër nevojë për ndihma.

Nga Bashkësia Fetare Islame bëjnë të ditur se OH Hilal do të vazhdojë me aksionet humanitare dhe se gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, çdo ditë do të jenë në teren duke shpërndarë pako humanitare  për të gjithë skamnorët, në katër anët e vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button